Politikë

Balla nga Brukseli: Metodologjia e re për zgjerimin, hap negociatat me Shqipërinë

Përditësimi i fundit: 29/01/2020 - 08:46
Text size Aa Aa

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një intervistë me korrespondentin e Euronews Albania në Bruksel, ka folur pas takimit në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme të BE-së mbi mundësinë e hapjes së negociatave në fund të marsit.

Z. Balla ka theksuar se, dritë jeshile për hapjen e negociatave pritet pas publikimit të metodologjisë së re të zgjerimit, e cila nga ana tjetër pritet të kënaqë dhe vendet që janë skeptike për zgjerimin.

I pyetur se cila ishte vlera e shtuar e këtij takimi, ai u shpreh se ishte përfshirja e vendeve të Ballkanit Perëndimor duke përmendur dhe presidentin e Parlamentit Europian, David Sassoli dhe rëndësinë që mbart Kroacia, si mbajtëse e Presidencës së radhës së BE-së, duke e cilësuar si një “shprehje domethënëse e një fakti kuptimplotë se BE-ja, por në mënyrë të veçantë PE, e shikon Ballkanin Perëndimor ndër vendet e ardhshme që do i bashkohen familjes europiane”

Z. Balla duke kujtuar rastin e 17-18 tetorit kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk arritën të marrin një vendim pozitiv për çeljen e negociatave, ka theksuar se më parë BE-ja duhet “të ndryshojë rregullat, sepse jo çdo gjë mund të arrihet me konsensus në BE”.

“Jetojmë në një botë tërësisht ndryshe, duhet të marrim në analizë edhe pozicionin gjeostrategjik, qoftë nga plani ekonomik apo pikëpamjet e tjera strategjike të sigurisë”, është shprehur kreu i Grupit Parlamentar të PS.

I pyetur se çfarë hapash ka ndërmarrë Shqipëria për të përmbushur kushtet e kërkuara nga Franca dhe Holanda, pra çështja e azilkërkuesve si dhe problemet me krimin e organizuar, z. Balla ka pohuar se Shqipëria ka shtuar kontrollet në pikat kufitare të personave vulnerabël për t’u kthyer në azilkërkues, ndërsa për sa i përket krimit të organizuar ai ka përmendur “paketën KÇK”, e cila sipas tij është përshëndetur edhe nga partnerët gjermanë si dhe në Bruksel, e cila  synon “të godasë si asnjëherë më parë krimin e organizuar, duke nisur goditjen nga asetet e përfituara për shkak të veprimtarive kriminale”.

“Kemi gjetur mbështetje edhe në Gjermani por edhe në Bruksel për të përgatitur dhe votuar paketën që do të jetë model, që mund ta ndjekin dhe të tjerët për të goditur të ardhurat që sigurohen nga veprimtaritë kriminale”, tha më tej z. Balla.

Por, ai nuk ka ngurruar të kritikojë dhe legjislacionet franceze për çështjen e azilkërkuesve, të cilat sipas z.Balla “duken paksa miqësore për abuzuesit që kërkojnë azil”.

I pyetur nëse kjo do të jetë e mjaftueshme për të bindur vendet skeptike para samitit të marsit, ai u shpreh se, “nuk bëjmë fushata sa herë që ka Komision Europian, por ne bëjmë detyrat e shtëpisë për të garantuar forcën e ligjit dhe shtetit ligjor në Shqipëri". Ai theksoi se bën pjesë tek ata politikanë që mendojnë se së pari “procesi i integrimit i bën mirë qytetarëve të Shqipërisë, pastaj kënaq pritshmëritë e atyre që na monitorojnë ".

Në kuadër të bisedimeve në Bruksel, mbi atë që cilësohet si “e ardhmja e Europës”, z. Bunguri e ka pyetur z. Balla nëse Ballkani duhet të përfshihet që në këtë fazë për të marrë pjesë në rishkrimin e traktateve të Bashkimit Europian?

“Në deklaratën e përbashkët të samitit e kemi rishprehur nevojën e përfshirjes së gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor” ka thënë z.Balla.  Ai pohoi se “pozicioni i Parlamentit Europian është i qartë” duke shtuar “se vendet e Ballkanit Perëndimor që janë të përfshira në procesin e zgjerimit duhet të kenë përfaqësimin e tyre”.

Tregime të lidhura