Politikë

David Sassoli për Euronews Albania: Mund të rishikojmë kushtet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian

Përditësimi i fundit: 31/01/2020 - 22:21
Text size Aa Aa

Presidenti i Parlamenti Evropian David Sassoli në një intervistë për Euronews Albania është shprehur se janë të gatshëm të rishikojnë kushtet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Sipas z.Sassoli, BE duhet t'i japë një shtysë të re procesit të zgjerimit.

Ernest Bunguri - President, para së gjithash ju falënderoj për intervistën që jepni për këtë televizion të ri që quhet Euronews Albania.

David Sassoli - Shumë urime!

Ernest Bunguri - Faleminderit. Doja t'ju pyesja se cili është simboli i vizitës tuaj në Shqipëri. Ju keni qenë edhe më parë aty, apo jo?

David Sassoli - Po, shumë shpesh, vite më parë që kur u hapën kufijtë dhe gazetarët patën mundësi, pasi në atë kohë isha gazetar, të hynin në vend. Ne e ndiejmë shumë afërsinë tonë me Shqipërinë. E ndiejmë, jo vetëm si një italian, por edhe si qytetar  evropian. Ju e dini që këtu në Parlamentin Evropian, në Komision dhe me shumë qeveri evropiane, kemi pasur një përballje që Shqipëria të niste procesin e zgjerimit. Kemi mbetur të zhgënjyer nga vendimi i disa vendeve, por jemi të sigurt që nuk ka qenë një jo. Ka qenë shtyrje dhe shpresojmë që ky proces të rinisë sa më shpejt, brenda muajve të ardhshëm.

Këtu, disa ditë më parë, patëm një mbledhje shumë të rëndësishme me kryeparlamentarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë presidentin e Shqipërisë, për të vendosur pikat kyçe të situatës, në respekt të shumë agjendave të tjera të cilat duhet të vendosen në të njëjtën linjë me ato evropiane. Duhet të përmbushim një boshllëk në hartën tonë gjeografike. Natyrisht, duke bashkangjitur boshllëkun gjeografik me atë politik. Kjo është arsyeja se përse e kemi kaq për zemër procesin e zgjerimit të Shqipërisë.

Ernest Bunguri - Ju keni shkuar në Shqipëri 30 vjet më parë. Në atë kohë vendi ishte në periudhën që ne e quajmë “Viti 0”. Sa ka ndryshuar vendi që nga ajo kohë?

David Sassoli - Unë e kam ndjekur gjithmonë. Kam hyrë për herë të parë me një grup gazetarësh italianë, ajo ishte hera e parë që gazetarët mund të hynin në Shqipëri. Natyrisht situata ishte shumë e rëndë, shumë e vështirë, dramatike. Kam gjithmonë këtë imazhin e dyqaneve që nuk kishin asnjë send për të shitur. Kjo të jepte imazhin e një vendi në vështirësi të mëdha, me ndryshime shumë rrënjësore mes qytetit dhe fshatit. Ne e dimë që shoqëria shqiptare është rritur dhe ka shumë standarde të përbashkëta me ne, me Bashkimin Evropian. Ka një proces zhvillimi, ka pasur përshtatje në legjislacion dhe në gjyqësor. Kjo, natyrisht, për ne është shumë e rëndësishme, në respekt të statusit të së drejtës, liritë themelore. Ja se përse mendojmë se Shqipëria tashmë është gati për këtë aventurë, për t’i dhënë, në fund të fundit, një fat të përbashkët vendeve tona, e për të riformuar edhe boshllëkun evropian, i cili nuk është një pronë private. Duhet të jetë një vend bosht i të gjithë shtetasve.

Ernest Bunguri - Zoti president, nëse ka pasur një institucion në Bruksel i cili e ka mbështetur gjithmonë zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor, ky ka qenë Parlamenti Evropian. Në tetor, ju keni miratuar menjëherë një rezolutë për mbështetje ndaj këtyre vendeve, por parlamenti nuk merr dot një vendim zyrtar për zgjerimin. Çfarë mund të bëjë më tepër Parlamenti Evropian për të ndihmuar?

David Sassoli - Jo, le të themi se procesi i zgjerimit përfshin shumë subjekte të tjera institucionale, dhe, natyrisht, sugjerimi i Këshillit, bazuar në traktate, duhet të respektohet. Ajo që ne duhet të vëmë në dukje janë avantazhet e të gjithëve, jo vetëm të shqiptarëve, por edhe për evropianëve, në mënyrë që procesi të nisë. E kemi parë veçanërisht në favor pozicionin e Komisionit Evropian, por edhe atë të 25 vendeve të unionit, të cilët ishin shumë të vendosur. Sigurisht që ne duhet të respektojmë rregullat, megjithatë jemi të sigurt që procesi vetëm sa është vonuar në këtë moment të nisjes. Janë të gjitha kushtet, natyrisht na bëhet shumë qejfi që institucionet shqiptare dhe populli shqiptar vijon të shohë drejt Evropës e në horizontin e tyre të jetë hyrja në Bashkimin Evropian. Unë besoj se kjo është arsyeja se përse duhet t’i japim edhe më shumë shtysë, në mënyrë që premtimet të mbahen.

Ernest Bunguri - Zoti president, edhe sot pas 30 vitesh, shqiptarët thërrasin me zë, e duam Shqipërinë si gjithë Evropa. 93% e popullsisë e mbështet procesin e anëtarësimit dhe shumë më tepër me vendet anëtare. Problemet e Evropës sot nuk duket se janë shumë të lidhura me rregullat e Evropës, por më shumë me populizmin. Për shembull, unë mendoj se presidenti Macron më shumë se për reformën, e bën për shkak të zgjedhjeve që po afrojnë në Francë, ku përballet me Le Pen. Sipas jush, ku po shkon Evropa?

David Sassoli - Neve na ka trishtuar që kishte një bllokim të tillë të vendimit. Të gjitha rregullat mund të riformulohen. Edhe rregullat e anëtarësimit mund të shihen sërish. Tani ekziston mundësia që, sipas kërkesës së disa vendeve anëtare, kjo gjë të bëhet, duke bërë disa korrigjime të nevojshme në procesin e anëtarësimit, por kjo është më se normale. Pas shumë vitesh gjërat mund të rishikohen, dhe kjo është e drejtë. Ne jemi gati për ta bërë këtë reformim të metodologjisë dhe urojmë që pasi të miratohet, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të marrin një “Po” për çeljen e negociatave.

Ernest Bunguri - Parlamenti Evropian ka një tjetër rol shumë të rëndësishëm, pra të kontrollojë Komisionin Evropian. Tanimë kemi një komisioner, i cili vjen nga një vend problematik, kur bëhet fjalë për shtetin e së drejtës. Në kohën kur ai ka qenë ambasador, e ka mbështetur qeverinë e tij në shumë iniciativa. Tani ai do të marrë nën tutelë shtete në të cilat vendosja e shtetit të së drejtës është shumë e rëndësishme. Çfarë do të bëjë Parlamenti?

David Sassoli - Do ta verifikojmë, jemi vetëm në fillim. Komisionerët duhet të respektojnë traktatet dhe jo lidhjet me interesat kombëtare. Ata janë betuar për këtë gjë. Përfaqësojnë të gjithë qytetarët dhe janë mbrojtës të traktateve evropiane. Unë e kam takuar personalisht komisionerin dhe më ka thënë se ka qëllim të vazhdojë më tej me negociatat për anëtarësim me Ballkanin Perëndimor dhe për Shqipërinë. Besoj ka një impenjim serioz nga ana e Komisionit për të zhvilluar të gjitha programet, të cilat japin mundësi për të dhe burime të reja për të gjitha vendet që synojnë të bëhen anëtare. Ne duhet të jemi afër qytetarëve tanë dhe, nëse kemi burime, natyrisht ato duhen vënë në dispozicion të zhvillimit. Ne kemi nevojë për Ballkanin Perëndimor për të ndihmuar më tej me rritjen ekonomike. Ky është një impenjim që Bashkimi Evropian ka marrë dhe që e ka në AND-në e tij, madje për këtë ka zhvilluar shumë programe. Jam i bindur që komisioni do të bëjë pjesën e tij.

Ernest Bunguri - Një pyetje të fundit zoti president. Jemi shumë afër të ashtuquajturës “Konferenca për të ardhmen e Evropës”. Nuk e di përse, por presidenca kroate ka harruar t’i bëjë vendet ballkanike pjesë të saj, edhe pse e dimë se vendet ballkanike i përkasin kësaj Evrope të së ardhmes.

David Sassoli - Kjo gjë duhet sqaruar mirë. Ne kemi diskutuar edhe me krerët e parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka shumë interes për t’u bërë pjesë e kësaj Konference që, në njëfarë mënyre, do të jetë edhe mundësi për të pasur institucione të një dialogu më të gjerë me opinionin publik, me qytetarët. Ju e dini se një vend, i cili ka hyrë në rrugën e proceseve të anëtarësimit, normalisht do të pranohet, megjithëkëtë ka vende të cilat janë mbrapa për sa u përket procedurave. Lidhur me Shqipërinë, ne duhet të gjejmë mënyrën. Ky është një impenjim që e kemi marrë së bashku me presidenten e Komisionit Evropian dhe me presidentin e Këshillit, për të reflektuar, për të gjetur një mënyrë për t’i përfshirë vendet që duan të punojnë me ne.

Ernest Bunguri - Nëse më lejoni, doja të theksoja se ka mjaft të rinj të këtyre vendeve që aktualisht gjenden në Evropë, që studiojnë, që janë evropianë, edhe nëse vendet e tyre nuk janë ende pjesë e Bashkimit Evropian. Ndërkohë që ka shumë forume ku mund të bëhet diçka e tillë. Në fund, do të doja t’ju uroja një udhëtim të këndshëm në Shqipëri dhe se do të takohemi sërish.

David Sassoli - Absolutisht, do të jetë një udhëtim shumë i rëndësishëm për mua, jo vetëm që do të kthehem në një vend që e njoh mirë, por sepse në këtë moment besoj se duhet të punojmë të gjithë së bashku për një të mirë të përbashkët. Të gjithë punën që shtetasit shqiptarë kanë bërë në vendet tona, për t’iu përshtatur stilit të tyre të jetesës, për t’i kuptuar më së miri vlerat tona, për t’i transmetuar ato në vendet mëmë. E gjithë kjo është një punë e jashtëzakonshme. Evropa nuk është vetëm burokraci, por edhe jetë cilësore për qytetarët.

Ernest Bunguri - Faleminderit, president!

David Sassoli - Faleminderit juve!

Tregime të lidhura