Politikë

Metodologjia e re e zgjerimit, eurodeputetët flasin për Euronews Albania

Përditësimi i fundit: 12/02/2020 - 13:32
Text size Aa Aa

Shumica e eurodeputetëve të Parlamentit Evropian e kanë mirëpritur metodologjinë e re të procesit të anëtarësimit, por cilat janë shanset që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të marrin një dritë jeshile për çeljen e negociatave në mars.

A do të ndryshojnë mendim vendet skeptike siç është Franca, Holanda apo Danimarka për Shqipërinë? Korrespondenti i “Euronews Albania”, Ernest Bunguri ka realizuar intervista me 3 eurodeputetë, të cilat kanë analizuar  metodologjinë e re të zgjerimit si dhe shanset reale që ka Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian.

Raportuesja e PE për Shqipërinë znj. Isabel Santos tha se vendi ynë e meriton çeljen e negociatave me Bashkimin Europian, ndërsa përgëzoi qasjen e ndjekur nga politika shqiptare, shoqëria civile dhe organizmave të tjerë aktivë në vendin tonë.

Intervistat ekskluzive me tre eurodeputetët:

Ernest Bunguri: çfarë mendoni për metodologjinë e rishikuar.

Isabel Santos, raportuesja e PE për Shqipërinë: Është një përmirësim dhe na jep një proces më pak burokratik dhe një proces më të përqendruar tek demokracia dhe rendi ligjor çfarë kanë rëndësi për grupin tonë të Socialistëve dhe Demokratëve. Por duhet të presim pak të shohim si do të funksionojë e gjitha kjo gjatë zbatimi të kësaj qasjeje të re. Unë mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm e të presim pak zbatimin.

Ernest Bunguri: Ndërkohë Shqipëria po vijon me reforma, por cilat janë sfidat konkrete deri para samitit të marsit ?

Isabel Santos: Sfida më e madhe është çelja e negociatave të anëtarësimit dhe unë mendoj se ky është një hap që do të hidhet në mars. E them këtë sepse Shqipëria e meriton nga përpjekjet e të gjithë politikanëve, të gjithë partive politike, qeverisë, të gjithëve, edhe punës së shoqërisë civile në Shqipëri.

Ernest Bunguri: Nga këndvështrimi juaj a ka ndonjë gjë që duhet të bëjë vendi ndërkohë.

Isabel Santos: Ata duhet të lëvizin me reformat. Mos ndaloni me këto reforma. Mendoj se nëse Shqipëria nuk i ndalon reformat do t’ia dalim mbanë shumë mirë dhe do të jetë sukses dhe për mua.

Ernest Bunguri: Po përgatisni rezolutën për vendin apo pas raportit të Komisionit.

Isabel Santos: Pas raportit të Komisionit, por do të shkoj javën që vjen në Shqipëri për vizitën zyrtare për herë të parë në pozicionin e raportueses për Shqipërinë.

Prononcimi i Viola Von Cramon-Taubadel, raportuese e PE për Kosovën, të gjelbrit gjermanë.

Ernest Bunguri: Çfarë mendoni për metodologjinë e re të zgjerimit ?

Viola Von Cramon-Taubadel: Në të vërtetë për ne ishte një surprizë që metodologjia e re është shpresëdhënëse. Kjo është, mendoj unë, një përgjigje e mirë ndaj pritshmërisë së lartë në rajonin e Evropës Juglindore. Unë shpresoj vërtet që kombinimi i grupimeve të kapitujve, me grupin mbi parimet bazë, me një shpejtësi dhe dinamizëm të ri, por edhe më shumë kushtëzim, mund të përbëjë një kompozim të mirë për t’i dhënë vërtet rajonit ndjesinë se jemi kthyer, se jemi të interesuar dhe të angazhuar. 

Ernest Bunguri: Në mars presim të reja për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por ku jemi me Kosovën, cilat janë sfidat nga ana e BE-së dhe nga ana vetë vendit ?

Viola Von Cramon-Taubadel: Mendoj se te dyja sinjalet do të jetë i rëndësishëm dhe thelbësore. Pra na nevojitet drita jeshile për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë por kemi nevojë dhe për heqjen tepër të shumëpritur të regjimit të vizave me Kosovën meqenëse të gjitha kriteret janë të përmbushura tashmë. Nëse nuk ndodh kështu atëherë besimi në rajon do të humbasë. Shoh që ka një agjendë reformash nga qeveria e re. Shoh që ka një gatishmëri të madhe për të bërë kompromise si dhe për të pasur një marrëveshje me Serbinë në një nivel të mirë. Por para së gjithash unë do të përqendrohesha më shumë tek çështjet e shtëpisë, si anti-korrupsioni, rendi ligjor, pastrimi i parave, aspektet sociale dhe ato të klimës, e me sa kam parë këto janë shumë lart në agjendën e qeverisë se re. Dhe ne do të ndjekim këto pika me veçanërisht.

Ernest Bunguri: Megjithëse nuk e dimë ç’do të ndodhë me heqjen e vizave pasi kemi ende 5 vende anëtare që nuk e njohin Kosovën, cilët prisni të jenë hapat e radhës me vendin për afrimin me BE-në ?

Viola Von Cramon-Taubadel: Po kur qeveria të jetë vendosur dhe një test i parë do të jetë Konferenca e Sigurisë e Mynihut javën që vjen, ku shpresoj që qeveria e re të lërë një përshtypje të mirë dhe do t’i tregojë komunitetit ndërkombëtar se janë të angazhuar ndaj një hapi më të ngushtë integrimi me BE-në, si dhe për një agjendë reformash ambicioze e kështu gjërat do të jenë më të lehta për të lëvizur. Unë vetë do të shkoj në Berlin javën që vjen dhe do të loboj vërtet për heqjen e vizave për Kosovën. Dhe shoh që ka një tendencë të re për të kuptuar se kjo është një prej gjërave më të rëndësishme dhe se njerëzit në Kosovë e presin shumë. 

Ilhan Kyuchyuk, raportues i PE për Maqedoninë e Veriut

Ernest Bunguri: Çfarë mendoni për metodologjinë e rishikuar të procesit të zgjerimit

Ilhan Kyuchyuk: Mendoj se është ide e mirë të niset diçka e re që lidhet me procesin e zgjerimit. Le të jemi të sinqertë, metodologjia e vjetër dhe mënyra si po sillej BE me vendet e Ballkanit ishte bllokuar. Na duhej diçka që do të sjellë më shumë dinamikë dhe të reformojë vetë procesin. Unë shoh disa nisma të mira te kjo metodologji. Për shembull me ndarjen në grupe, dhe vendet kanë shansin që ti përmbushin detyrimet e tyre brenda një viti për të mbyllur një grup kapitujsh. Rendi ligjor është një problem themelor në vetë Bashkimin Evropian, prandaj duhet ta vështrojmë nga afër nga nisja deri në fund të procesit. Shoh shumë gjëra të mira kur flasim për lidhjet edhe më të ngushtë BE-Ballkan. Shoh një potencial të mirë për ndërlidhjen për shembull në transformimin digjital, në marrëveshjen e gjelbër, por edhe transportin. Në përgjithësi e shoh si pragmatik dhe të mirë për ti sjellë palët edhe më pranë dialogut.

Ernest Bunguri: Ne presim tashmë vendimin apo mos vendimin e Marsit, cilat janë sfidat me të cilat përballet Maqedonia deri atëherë.

Ilhan Kyuchyuk: Maqedonia e Veriut është përballur me periudha të vështira në historinë e saj dhe ka dhënë dhe një kontribut të madh për demokracinë në vend. Unë dua të them se ky transformim nuk bëhet për elitën politike të vendit, por popullin e Maqedonisë së Veriut. Unë pres zgjedhje të lira dhe të ndershme me 12 Prill. Unë pres që të vijojë vullneti i mirë në bashkëpunimin mes partive politike. Nëse ka një ide se si do të duket Maqedonia në 15 apo 20 vjet, unë e shoh me siguri brenda BE-së. Por për një sukses të tillë na nevojitet konsensusi kombëtar mes partive politike. Kanë një rol për të luajtur si shumica qeverisëse ashtu dhe opozita. Dhe unë i inkurajoj kolegët dhe miqtë në vend të punojnë edhe më ngushtë.

Ernest Bunguri: Ndërkohë metodologjia e rifreskuar nuk merret me presionin ndaj vendeve anëtare, çfarë mund ti pengojë ata të bëjnë të njëjtën gjë në mars a në qershor.

Ilhan Kyuchyuk: Një farë dialogu. Dhe unë mendoj se Komisioneri ka bërë një gjë të mirë që bëri xhiron e kryeqyteteve, duke dëgjuar por edhe duke propozuar nisma të mira. Ka mbështetjen e plotë të Parlamentit Evropian. Ka sigurisht mbështetjen e plotë të kolegjit të Komisionit Evropian. Dhe mendoj se bashkë me ndihmën tonë do të jetë i aftë të bindë disa shtete anëtare që nuk ishin kaq të bindur para gjashtë muajsh. Nuk mund ti mbajmë vendet e Ballkanit në kopshtin e pasmë të BE-së. Unë dua t’i shoh të luajnë një rol të rëndësishëm dhe të plotë në Bashkimin Evropian. 

Tregime të lidhura