Politikë

Meta: Maskat kanë rënë, diktatura ka trokitur dhe të gjithë duhet të zgjohen

Përditësimi i fundit: 22/05/2020 - 13:02
Text size Aa Aa

Presidenti Ilir Meta mbrojti të premten propozimet e tij për një platformë gjithëpërfshirëse për integrimin duke këmbëngulur se prej kohësh tashmë “maskat kanë rënë” dhe dihet se kush po i pengon reformat kyçe që garantojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Në një deklaratë për shtyp që zgjati rreth një orë, Meta theksoi se mazhoranca ka kapur institucionet e tjera duke cenuar sundimin e ligjit. Ai u shpreh se propozimin për platformën ua ka paraqitur palëve që më 8 prill, por që nuk ka pasur reagim nga ana e mazhorancës.

“Zotëria pse nuk angazhohet për zhbllokimin e situatës? Sepse në mënyrë të paligjshme ka pushtuar shumë territore kushtetuese, drejtësinë, mediat. Ne kërkojmë që të respektohet ligji i së drejtës, tani, ai nuk tërhiqet nga kjo rrugë, ndërsa të huajt janë tronditur. Në këtë mënyrë nuk shkohet në BE,” – tha Meta duke nënkuptuar këtu shkeljet e Kryeministrit Edi Rama.

Presidenti shpjegoi më tej duke ripërsëritur akuzat ndaj gjyqtarit Ardian Dvorani, të cilit i ka mbaruar mandati në Gjykatën e Lartë, por megjithatë mbetet vendimtar në reformën e drejtësisë.

Ai kujtoi gjithashtu problemet e ligjshmërisë së pushtetit vendor të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit 2019, duke theksuar se mungesa e zgjedhjeve të rregullta i kushtuan vendit negociatat me BE-në.

Presidenti tha se popozimi i tij i tetorit 2019 për zgjedhje gjithëpërfshirëse ishte "rruga e vetme kushtetuese për rikthimin te legjitimiteti".

Për platformën e tij, Meta u shpreh i hapur për propozime të tjera, por këmbënguli se cilado qofshin ato, e rëndësishme është që të krijohet një mekanizëm gjithëpërfshirës dhe t’i hapet rrugë kthimit të legjitimitetit, pasi siç u shpreh ai “diktatura ka trokitur”.

“Ka patjetër nevojë për një front për demokraci, i cili nuk përjashton askënd. Unë as nuk kam në plan të krijoj ndonjë parti, as nuk mbështes ndonjë parti. Fronti fillon me përfundimin e reformës zgjedhore sa më shpejt, me zgjedhje të lira e të ndershme dhe të gjithë janë të mirëpritur. Por që ka nevojë për një front të tillë, patjetër, sepse diktatura ka trokitur dhe mos e merrni me shaka sepse të gjithë duhet të zgjohen dhe të mbrojnë të drejtat e tyre,” – u shpreh Meta.

 

Lexoni gjithashtu:

Meta: Institucionet kanë probleme të legjitimitetit, integrimi kërkon përfshirjen edhe të opozitës reale

Zbardhet Platforma me 14 pika, Meta kërkon Këshill Politik për çdo ndryshim në reformën në Drejtësi

Apeli i fortë i Yuri Kim: Jepini fund lojërave politike, nuk ka pazar me reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi

Tregime të lidhura