Politikë

Rama përgënjeshtron Metën, por shpreh gatishmërinë për t'u ulur në dialog me opozitën

Përditësimi i fundit: 22/05/2020 - 13:39
Text size Aa Aa

Kryeministri Edi Rama përgënjeshtroi Presidentin Ilir Meta duke theksuar se ky i fundit nuk i ka dorëzuar asnjë platformë për integrimin, por sidoqoftë ai u shpreh i gatshëm të ulet në çdo moment me opozitën.

Përmes disa postimesh në Twitter, Rama sulmoi Presidentin dhe opozitën dhe e konsideroi emergjente uljen “në një tryezë me karta të hapura”.

“Presidenti nuk më ka dorëzuar asnjë platformë, por jam gati të ulem në çdo moment me të, me opozitën brenda dhe jashtëparlamentare e me partnerët e reformës në drejtësi, që t'i vëmë pikat mbi "i" të gjitha pikave të të gjitha palëve në shqip e anglisht, se teatri ra, iku e na la,” – shkroi Rama si reagim të deklaratës së mëhershme të Presidentit Meta, i cili pretendoi se prej 8 prillit nuk ka marrë asnjë përgjigje për platformën e propozuar prej tij për integrimin.

“Presidenti t'i lerë apelet natën për 20 burra, e ditën për 11 pika! Opozita t'i lerë ultimatumet trupore e sharjet fëminore! Të dy bashkë ta lenë teatrin e mbledhjeve të komitetit të shpëtimit, se Shqipëria, parlamenti, qeveria, nuk kanë kohë të luajnë "e ka kush e ka" dezhurnin,” – thumboi më tej Kryeministri duke nënkuptuar këtu çështjet e lëna pezull së fundmi për mënyrën se si u shemb Teatri Kombëtar.

“Jemi në prag të miratimit të Planit të Veprimit për Negociatat në Këshillin Kombëtar të Integrimit, s'ka rast më të mirë që Presidenti, Opozita, Institucionet e Drejtësisë, Partnerët Ndërkombëtarë për Drejtësinë dhe Integrimin, të mblidhen urgjent në një tryezë me karta të hapura,” – shprehu propozimin e tij Rama.

Prej 17 majit, kur me një vendim të Këshillit Bashkiak Tiranë, u shemb Teatri Kombëtar, kriza politike në vend është theksuar më tepër, kjo pasi opozita ka vendosur bojkotin e diskutimeve rreth reformës zgjedhore.

 

Lexoni gjithashtu:

Meta: Nuk bëj parti tjetër, do të mbështes çdo lëvizje qytetare që është për demokraci

Meta: Maskat kanë rënë, diktatura ka trokitur dhe të gjithë duhet të zgjohen

Meta: Institucionet kanë probleme të legjitimitetit, integrimi kërkon përfshirjen edhe të opozitës reale

Zbardhet Platforma me 14 pika, Meta kërkon Këshill Politik për çdo ndryshim në reformën në Drejtësi

Apeli i fortë i Yuri Kim: Jepini fund lojërave politike, nuk ka pazar me reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi

Tregime të lidhura