Politikë

Nuk ka dakordësi në Këshillin Politik, opozita akuzon mazhorancën se refuzoi të gjitha propozimet

Përditësimi i fundit: 30/05/2020 - 21:08
Text size Aa Aa

Për të tretin takim radhazi në Këshillin Politik çështja e implementimit të teknologjisë në zgjedhje ka minuar të gjitha diskutimet për çështjet e tjera. Opozita pretendoi se propozimet e paraqitura janë refuzuar nga mazhoranca.

Oerd Bylykbashi tha se pavarësisht kërkesave socialistët nuk heqin dorë nga modeli i 30 qershorit “vetë mbush kutitë, vetë numëro, vetë shpall rezultatin”.

Petrit Vasili shtoi se qëllimi i socialsitëve është legjitimimi i modelit të 30 qershorit me parimin socialist më e rëndësishme është të votohet “pa për të numëruar, numërojmë vetë”.

“Kemi bërë propozime për të garantuar votën e shqiptarëve, vota e tyre të jetë e paprekur dhe rezultati të jetë i paprekur,” – theksoi Bylykbashi teksa këmbënguli se të gjitha propozimet e tyre janë refuzuar.

“Qeveria që ka mundësuar zhvillimin e koncesioneve më të mëdha në histori nuk është në gjendje të garantojë 5,000 qendra votimi me sistem identifikimi biometrik,” – ironoizoi Vasili.

Dy përfaqësuesit e opozitës theksuan se kërkesa themelore për hetimin e krimeve zgjedhore nuk është përmbushur.

Prej janarit të këtij viti reforma zgjedhore është vendosur të diskutohet paraprakisht jashtë parlamentit në një tryezë politike të ndërmjetësuar nga partitë kryesore të vendit me marrëveshjen që produkti i saj të mos tjetërsohet kur të kalojë më pas për votim në Kuvend.

Më parë objektivi i reformës ishte 15 marsi, por pas pandemisë së COVID-19 punimet e Këshillit Politik u zvarritën dhe së fundmi ky afat është vendosur për 31 majin.

Tregime të lidhura