Politikë

Integrimi në BE, Rama prezanton kryenegociatorin Mazi: Do jem avokati më i mirë i Shqipërisë

Përditësimi i fundit: 18/06/2020 - 13:36
Text size Aa Aa

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot në ambientet e Ministrisë së Jashtme kryenegociatorit për Zhvillimin e Negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, Z. Zef Mazi.

Në fjalën e tij me këtë rast kryeministri e cilësoi jo të lehtë punën e kryenegociatorit, ndaj sipas tij duhet të krijojë një disiplinë dhe frymë skuadre.

“Nuk është qeveri më vete, dhe qeveria nuk i lan duart me këtë punë, por ndërvepron intensivisht me këtë grup. Për interesa partiake mund të recitohet kënga e kushteve, por në fakt me rifillimin e këtij procesi janë me mijëra, se mijëra janë faqet e përafrimit dhe përputhjes së legjislacionit dhe dokumenteve lidhur me këtë proces. Nuk është vetëm shkrimi i ligjeve, por edhe zbatimi i tyre", tha Rama.

Nga ana e tij, z. Mazi falënderoi kryeministrin për detyrën e ngarkuar ndërsa tha se do të funksionojë si avokati më i mirë i Shqipërisë dhe do të ketë raporte shumë të mira me BE.

“Vij në këtë post, i nderuar, pas shumë vitesh punë jashtë shtetit. Ky emërim dhe ky post ka rëndësi shumë të veçantë, sepse do punoj për vendin tim dhe për shtetin tim. Ka shumë rëndësi që ekipi të funksionojë në mënyrë harmonike.

Kjo është garë e gjatë, por qëllimi është i njëjtë për të gjithë shqiptarët. Unë do flas me të gjithë faktorët politikë në vend, sepse integrimi ka nevojë për partitë, për zërat e shoqërisë civile”, tha z. Mazi.

Tregime të lidhura