Politikë

74% e shqiptarëve duan lista të hapura, sondazhi: Problemi më i madh i zgjedhjeve është shitblerja e votës

Përditësimi i fundit: 30/06/2020 - 19:05
Text size Aa Aa

Kur i gjithë debati politik gjatë muajve të fundit është vendosur tek reforma zgjedhore, kompania e sondazheve IDRA Poll, realizoi një anketë për të parë se sa të familjarizuar janë shqiptarët me këtë reformë.

Nga kampioni i përzgjedhur, rreth 77 % e të anketuarve kanë renditur “shit-blerjen e votës” si një nga tre problemet kryesore të zgjedhjeve në Shqipëri.

Problem i dytë sipas perceptimit të të anketuarve është “përfshirja e kandidatëve me të shkuar kriminale” dhe i treti renditet “përdorimi i administratës publike gjatë fushatave elektorale dhe zgjedhjeve”.

Më pak shqetësuese sipas të anketuarve, duket pamundësia e emigrantëve për të votuar apo diskriminimi gjinor në listat e kandidatëve.

Por sa besim kanë votuesit shqiptarë se këto probleme do të zgjidhen nga reforma zgjedhore?

Rreth 2/3 e të anketuarve nuk mendojnë se problemi i parë, pra ai i shitblerjes së votës do të zgjidhet nga marrëveshja e fundit.

Më optimistë duken për zgjidhjen që do sjellë kjo marrëveshje për sa i përket problematikës së dytë, asaj të “përfshirjes së kandidatëve me të shkuar kriminale”, ku më tepër se gjysma mendojnë se ky problem do të gjejë zgjidhje .

Nga sondazhi rezultoi se gati 74% e të anketuarve preferojnë “listën e hapur” dhe vetëm 10% e tyre janë dakord që të vijohet me modelin aktual të listave të mbyllura.

Tregime të lidhura