Politikë

Basha: Raporti i AmCham për klimën e biznesit shqetësues, zgjidhjen e jep platforma e opozitës

Përditësimi i fundit: 30/06/2020 - 10:55
Text size Aa Aa

Opozita mendon se platforma e saj e ekonomisë mund t’i japë zgjidhje situatës që po kalon vendi.

Në një postim në Facebook, në të cilin kryetari i Partisë Demokratike shprehu shqetësimin për përfundimet e raportit të fundit nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, Lulzim Basha tha se vendi ka nevojë për “zgjidhje që garantojnë konkurrencë të ndershme, lehtësi fiskale dhe përmirësim të klimës së të bërit biznes”, zgjidhje që sipas tij i mundëson programi i opozitës.

“Bazuar mbi këto nevoja ne kemi hartuar një platformë ekonomike në të cilën parashikohet: Taksa e sheshtë 9%, eleminimi dhe thjeshtëzimi i lejeve dhe licencave, eliminimi dhe bashkimi i 18 taksave për të rimoduluar sistemin tonë fiskal. Njëkohësisht plani ynë parasheh dhe ristrukturimin e agjencive dhe institucioneve doganore, fiskale dhe të regjistrimeve. Më thjeshtë dhe më lehtë për të gjithë,” – shkroi Basha në Facebook duke këmbëngulur se platforma e opozitës mund të tërheqë investimet e huaja, të reduktojë hapësirat për abuzime dhe korrupsion dhe të fuqizojë më tej biznesin.

Të hënën Dhoma Amerikane e Tregtisë prezantoi përfundimet e një raporti të bazuar mbi anketimin dhe opinionet e të gjithë anëtarëve të saj për klimën e biznesit në Shqipëri.

Në të u konstatua se klima e të bërit biznes në vendin tonë u përkeqësua me 5 pikë gjatë vitit 2019, duke shënuar rënien më drastike gjatë 8 viteve të fundit.

Ndër arsyet kryesore të këtij përkeqësimi u cilësua monopoli dhe konkurrenca e pandershme, klima politike, korrupsioni, vështirësia në gjetjen e personeleve të kualifikuar, burokracitë e niveleve të taksimit dhe politikat e qeverisjes.

 

Lexoni gjithashtu:

Klima e të bërit biznes, Arben Malaj thirrje qeverisë: Koha që të ketë ngrirje të çdo ndryshimi në nivel taksash

Kriza politike dhe konkurrenca e padrejtë dëmtuan klimën e biznesit në Shqipëri gjatë vitit 2019

Bozdo: Socialistët gënjejnë, shtresën e mesme e lehtëson taksa e sheshtë, jo taksa progresive

Tregime të lidhura