Politikë

Korriku Kushtetues, Kuvendi fut në procedurë ndryshimin e Kushtetutës

Përditësimi i fundit: 30/06/2020 - 12:14
Text size Aa Aa

Gjatë gjithë muajt korrik Kuvendi do të shqyrtojë nismën për ndryshimin e Kushtetutës.

Ditën e martë  u zhvillua mbledhja e Këshillit për Legjislacionin së bashku me Komisionin e Ligjeve që nisi zyrtarisht punën për ndryshimin e kushtetutës në bazë të kërkesës së bërë nga opozita parlamentare për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Tre janë ndryshimet që kërkon opozita parlamentare: hapja e listave, heqja e koalicioneve parazgjedhore dhe rritjen e pragut 5% në rang kombëtar për të marrë mandat deputeti.

Por për këtë të fundit palët duket se bënë lëshimet e para pa nisur ende shqyrtimi.

“Pragu elektoral nuk është i sanksionuar në Kushtetutë, do të kërkojë me përgjegjësitë e të gjithë deputetëve kolegë të mi të Komisionit të ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit të shihet në funksion të pragjeve elektorale që kanë vendet e Bashkimit Evropian, 5% është një prag i lartë,” – tha deputeti Myslim Murrizi.

Për të joshur maxhorancën, opozita parlamentare pati edhe një ofertë, miratimin e të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR duke përfshirë edhe depolitizimin e administratës, kërkesë e kahershme e socialistëve, por që u refuzua në Këshillin Politik.

“Për ta hapur rishikim e kësaj kushtetute që nuk është as herezi as ndonjë qemet i madh, kjo kushtetutë pasi të kalojë në parlament do ti hap rrugë Kodit Zgjedhor. Shpreh dakordësinë time që në Kodin Zgjedhor të votojë absolutisht 100% rekomandimet e OSBE-ODIHR të cilat janë të lëna në harresë,” – shtoi deputeti i opozitës parlamentare.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi e drejtoi mbledhjen në mënyrë protokollare ashtu siç ka bërë gjatë tri viteve në drejtimin e parlamentit dhe kërkoi angazhim maksimal.

“I uroj punë të mbarë Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit dhe seriozitetin dhe angazhimin maksimal që të gjitha këto që vendosëm sot të bëhen siç duhet pasi rëndësia e nismës është shumë e madhe pasi kemi të bëjmë me ndryshime kushtetuese,” – u shpreh Ruçi.

Puna për ndryshimet kushtetuese do të vijojë sërish të martën e për të ndaluar më 30 korrik, ditë në të cilën është parashikuar edhe votimit në parlament ku do të shihet nëse socialistët dhe opozitarët e Kuvendit do të bashkojnë kartonët për të ndryshuar sistemin zgjedhor, apo kjo çështje do të jetë thjeshtë formale në procedurat parlamentare.

 

Lexoni gjithashtu:

Opozita parlamentare propozon ndryshim të Kushtetutës për lista të hapura dhe ndalim koalicionesh parazgjedhore

Meta kërkesë urgjente politikës: Mbajeni premtimin për zgjedhoren, mos kini frikë nga vota e lirë!

“Ndryshoni Kushtetutën”, Komisioni i Venecias: Nuk ka shkak për të shkarkuar Presidentin

Tregime të lidhura