Politikë
Basha ironizon programet e Ramës për punësimin: A ka njeri që ja vë më veshin këtij?

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha komentoi me ironi programet e punësimit që prezantoi sot kryeministri Edi Rama.
Përmes një postimi në Twitter Basha tha se “nëse do të ishin bërë realitet” ato që thotë Kryeministri, “Shqipëria nuk do të ishte në këtë gjendje sot”.
“Pas 7 vitesh premtimesh të pambajtura, a ka njeri që ja vë më veshin këtij?” – pyeti ironikisht Basha.
Sikur të ishin bërë realitet ato që thotë ky, Shqipëria nuk do të ishte në këtë gjendje sot. Por pas 7 vitesh premtimesh të pambajtura, a ka njeri që ja vë më veshin këtij?
— Lulzim Basha (@lulzimbasha_al) September 23, 2020
Kryeministri prezantoi sot tre programe të reja të cilat do të mbështesin sektorin e punësimit, reduktojnë punën në të zezë dhe do të rrisin pagën minimale në 30 mijë lekë.
Opozita e ka kritikuar qeverinë për politikat e saj të taksimit të punës dhe të ardhurave, sidomos për të dypunësuarit dhe për profesionet e lira. Po kështu ajo e ka sulmuar shpesh shumicën socialiste për mosmbajtje të premtimit për hapjen e mbi 300 mijë vende pune, premtim ky i bërë në vitin 2013 ku PS garoi në zgjedhje në koalicion me LSI-në.
Nga ana tjetër qeveria këmbëngul për të kundërtën, se pavarësisht situatave të paprecedenta si tërmeti apo pandemia, falë politikave të saja është minimizuar efekti në ekonomi dhe sektorin e punës, ndërkohë që në këto vite ka pasur rezultate në luftimin e ekonomisë informale, rritjen e të ardhurave në buxhet dhe rritjen e investimeve.
Lexoni gjithashtu:
Rama prezanton programet e reja të punësimit: Sfidë, vendosja e pagës minimale 30 mijë lekë
Paga e luftës, Tatimet: 25 gushti, afati i ankesave për përfitim të ndihmës