Politikë

Situata e pandemisë, Basha takim me mjekët: Jemi në prag të katastrofës

Përditësimi i fundit: 23/09/2020 - 18:43
Text size Aa Aa

Pas një takimi me mjekë dhe ekspertë të shëndetësisë, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e cilësoi “në prag katastrofe” situatën e sistemit shëndetësor përballë pandemisë së COVID-19.

“Situata paraqitet në prag të katastrofës dhe paralajmërimet nuk janë të parakohshme. E pafalshme që gjashtë muaj pas nisjes së pandemisë, askush nuk di çfarë masash janë marrë. Deri tani menaxhimi i situatës ka qenë dështim. Këtë e pranojnë nën zë dhe vete autoritetet,” – këmbënguli Basha pasi rreshtoi aspektet që kanë çaluar në përballjen me koronavirusin.

Ai tha se mungesa e pajisjeve, largimi i personelit shëndetësor dhe paketa sporadike dhe jo e plotë “1000 euro ndihmë për mjekë” e ka lënë “të rraskapitur” dhe “të demotivuar personelin shëndetësor”. Megjithatë ai tha se ky nuk ishte momenti "për të ngritur gishtin", por për të "nxitur ndërgjegjësimin dhe zgjuar qeverinë nga narkoza".

Në selinë e demokratëve u fol për disa aspekte, si hapja e shkollave, sigurimi i mundshëm i vaksinës, apo dhe programi i paqartë për përballimin e situatës në periudhën e dimrit.

“Për vaksinën, bashkëpunimi me BE-në dhe SHBA-në, sugjeruar që prej muajit korrik, nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim, është bërë vetëm ajo që ka bërë çdo vend anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, vendet afrikane, çdo vend tjetër, është kërkuar rezervimi i pjesës së COVAX-it, që është rruga më e shkurtër por dhe më e pasigurt për të marrë vaksinën e duhur për popullatën,” – u shpreh Basha.

Kryetari i PD-së e cilësoi qesharak formularin e vetëdeklarimit për nxënvsit në shkolla, ndërkohë që theksoi se kostot familjare për sigurimin e higjienës janë të papërballueshme. Ai kujtoi se kërkesat për testimin e mësuesve nuk u morën parasysh dhe kjo mund të sjellë efekte të tjera në kurbën e të infektuarve.

Demokratët këmbëngulin se qeveria duhet të ketë gati një program të qartë vaksinimi kundër gripit dhe menaxhimi të epidemisë për sezonin e dimrit ku dyndja në spitale mund të jetë më e madhe me gripet stinore.

Më vonë gjatë mbrëmjes, zyra për shtyp e PD-së, përcolli për mediat 10 sugjerime të nxjerra nga takimi me ekspertët:

  1. Fuqizimi i mjekut të familjes, pajisja e tij me protokolle mjekimi për pacientë trajtohen në shtëpi.
  2. Paketë e rimbursueshme “diagnostikim dhe mjekim” për pacientët që janë COVID pozitiv.
  3. Investim në pajisjet laboratorike, diagnostikuese dhe trajtuese për pacientët.
  4. Ngritjen e shtëpive komunitare për pacientët ambulatorë, që mund të marrin trajtimin ditor si dhe oksigjeno-terapinë. Në mungesë të tyre, të ngrihet shërbimi i kujdesit infermieror në shtëpi, i cili të paguhet nga Ministria e Shëndetësisë.
  5. Rritjen e kapaciteteve testuese, minimumi me pesë herë, mesatarisht 2500 testime në ditë.
  6. Rritjen e numrit të infermierëve në spitale, me qëllim rritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor për pacientët e shtruar në spital.
  7. Vjeshta sjell edhe sezonin e gripit stinor, që do të mbivendoset me COVID-19 dhe do ketë problemet me diagnozën diferenciale (pra përcaktimin se çfarë ka pacienti) në sfondin e testimeve me pakicë.
  8. Bashkëpunimin me vende të BE, Gjermaninë, Italinë por edhe me SHBA, për të siguruar vaksinën kundër COVID-19, një produkti cilësor, efikas dhe në kohë.
  9. Testime masive dhe të rregullta të mësuesve.
  10.  Të sigurohen maska falas për mësuesit.

 

Lexoni gjithashtu:

Sindikata e punonjësve të shëndetësisë thirrje për protesta

Tre viktima, 121 raste të reja dhe 97 të shëruar nga COVID-19 në Shqipëri

Shqipëria bëhet pjesë e mekanizmit COVAX që garanton furnizimin me vaksinë anti-Covid

Tregime të lidhura