Politikë

Debati për inceneratorët, Veliaj sulmon Bashën: Me projektin e PD-së trajtimi 30% më shtrenjtë 

Përditësimi i fundit: 16/10/2020 - 22:17
Text size Aa Aa

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ishte të premten në Sharrë, për të parë punimet për impiantin e përpunimit me djegie të mbeturinave, njohur ndryshe si incenerator.

Veliaj tha se zona është transformuar, ndërsa sulmoi parardhësin e tij, Lulzim Basha, për projektin që ai kishte në plan në vitin 2013 se kishte kosto 30 për qind më të shtrenjtë.

“Këtu ka qenë mali më i madh i plehrave në Ballkan. Ka qenë ndotësi më i madh dhe një bombë ekologjike,” – u shpreh Veliaj.

“Ishte një plan i cili propozonte një pagesë 37 euro/ton. Për çdo ton, qyteti do paguante 37 euro, ndërkohë që qysh në fillim qyteti do paguante 34.6 milionë euro kompanisë. Ne jo vetëm që nuk e paguajmë këtë 34.6 milionë euro, por në vend që të paguajmë 37, ne paguajmë në fakt 29 euro/ton,” – tha Veliaj.

Por, ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku deklaron se Veliaj po “shpif” dhe “nuk jep llogari për 25 milionë eurot e vjedhura aty”.

“Ai [Veliaj] që nuk pastron dot plehrat e Tiranës, u përpoq më kot të pastrojë pisllëqet e shefit të tij [Kryeministri Edi Rama] që ka paguar 75 milionë euro për inceneratorë që nuk ekzistojnë,” – u shpreh ish-deputetja demokrate Jorida Tabaku.

Sulmet për inceneratorët janë shpeshtuar ditët e fundit, pasi nga Minstria e Infrastrukturës dhe Energjisë u derdhën në llogari të kompanive private 2 milionë euro për impiantet e Tiranës dhe Fierit.

Tregime të lidhura