Politikë

Rama i përgjigjet akuzave të opozitës: Çnjerëzore të luash me të vdekurit

Përditësimi i fundit: 21/11/2020 - 18:02
Text size Aa Aa

Përmes një deklarate të ngarkuar me fjalë kundër opozitës, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj duke mohuar kategorikisht akuzat e ditëve të fundit, sipas së cilave “vdekjet reale prej pandemisë janë fshehur”.

Kryeministri fillimisht tha se ndihej krenar nga reagimi i qytetarëve pas dy fatkeqësive që prekën vendin njëri-pas-tjetrit, siç ishin tërmeti i 26 nëntorit 2019, apo pandemia, ndërsa më pas sulmoi ashpër opozitën dhe Presidentin duke i konsideruar “pakica të zhurmshme” që “bëjnë sehir” dhe “aleancë me COVID-in” pasi u shtijnë qytetarëve ankthin, pasigurinë dhe frikën.

Rama tha se është anti-demokratike që Presidenti dhe opozita kanë ngritur “komitete paralele ekspertësh” që japin rekomandime të kundërta me ato të qeverisë duke mos e ndihmuar aspak situatën.

Ai dënoi ashpër rrjedhjen dhe publikimin e fotove “klandestine”, siç i quajti ai, të pamjeve nga morgu i QSUT-së për të mbështetur “politikën mbi të vdekurit”.

“Si mundet të ngacmohet deri në këtë pikë psikika e një populli të trazuar nga pandemia,” – tha Rama ndërsa theksoi se tashmë punonjësit e shëndetësisë janë ngarkuar “në mënyrë të pamerituar” me hije dyshimi për punën e tyre.

Gjatë fjalimit të tij Rama thumboi rëndë opozitën duke bërë rrjedhime me akuza të shkuara ndaj saj, teksa i kujtoi kryetarit të PD-së Basha edhe çështjen e fundit ku ai është akuzuar se ka penguar hetimet për masakrën serbe ndaj shqiptarëve të Krushës së Madhe në Kosovë.

Duke dalë në temën e ditës, kryeministri mohoi kategorikisht fshehjen apo manipulimin e numrit të viktimave duke thënë se kjo ishte e pamundur pasi diagnoza dhe autopsia bëhej nga ekspertët. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë masat anti-Covid dhe të kontribuojnë për të shmangur një mbyllje tjetër.

 

Lexoni gjithashtu:

''Fshehja'' e numrit real të viktimave, Basha: Ramës iu deshën dy ditë për t'u përgjigjur

Tregime të lidhura