Politikë

Zgjedhjet në LSI, Luan Rama: Kryemadhi u rikonfirmua pasi pati mandat jo të plotë

Përditësimi i fundit: 21/11/2020 - 17:46
Text size Aa Aa

Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama shpjegoi për Euronews Albania se përse gjatë procesit zgjedhor që zhvilloi sot kjo parti, kryetarja Monika Kryemadhi nuk pati rivale.

Sipas Ramës, kjo lidhej me “specifikën”, siç e konsideroi ai, që Kryemadhi pati një mandat “jo të plotë” si kryetare pas dorëheqjes së ish-kryetarit Ilir Meta në vitin 2017, kohë kur ai kandidoi për të marrë postin e Presidentit.

“Zonja Kryemadhi ka marrë një mandat në gjysmë, në kuptimin statutor,” – u shpreh Luan Rama, i cili më parë, në kohën kur partinë e drejtonte Ilir Meta, pati kandiduar përballë tij për kryesimin e partisë.

I pyetur se përse nuk e bëri sërish një gjë të tillë përballë Monika Kryemadhit, ai nënkuptoi të njëjtën arsye përpara se të mos e përjashtonte mundësinë e rikandidimit në zgjedhjet e tjera brenda partisë.

Për sa i përket procesit të votimeve, Rama u shpreh i kënaqur nga pjesëmarrja, sidomos e të rinjve. Ai këmbënguli se zgjedhjet e së shtunës kanë pasur në fokus “zgjedhjet parlamentare të 25 prillit”.

Luan Rama është vendosur të drejtojë shtabin elektoral të qarkut të Vlorës. Ai e quajti 25 prillin “datën e çlirimit të Shqipërisë nga qeverisja e çibanëve” dhe duke mos e ndarë LSI-në dhe forcat e tjera të opozitës këmbënguli se “sondazhet tregojnë se opozita do të fitojë 7 mandate në Vlorë” nga 12 që janë në total.

 

Lexoni gjithashtu:

Rikonfirmohet Kryemadhi, anëtarësia i kushtëzon votën kryetares, pa maskë s’i lejohet hyrja në QV

Tregime të lidhura