Politikë

Meta kthen për rishqyrtim ligjin që heq për tre vite taksën e rentës minerare

Përditësimi i fundit: 13/01/2021 - 10:58
Text size Aa Aa

Presidenti Ilir Meta njoftoi të mërkurën se ka kthyer për rishqyrtim në parlament ndryshimet e bëra në ligjin për taksat, ndryshime të cilat përjashtojnë nga taksa e rentës minerare mineralet që përpunohen dhe eksportohen nga Shqipëria.

Meta argumenton se ligji do t’i sjellë buxhetit një dëm prej rreth 500 milionë lekësh mungesë të ardhurash, bie në kundërshtim me parimet kushtetuese, sigurinë juridike, lirinë ekonomike, barazinë përpara ligjit, autonominë e pushtetit vendor si dhe dëmton interesin publik dhe pasurinë kombëtare.

Presidenti thotë se nisma ligjore ka kaluar pa transparencë që nga momenti që është propozuar, vlerësuar dhe formalizuar. Mungesa e transparencës lidhet me mungesën e të dhënave për numrin e operatorëve ekonomikë që operojnë në fushën e minerareve, nivelin e të ardhurave që gjenerojnë dhe kontributet që derdhin në buxhetin e shtetit aktualisht.

Për këtë Meta kujton se qeveria ka për detyrë të thellohet në shqyrtimin e parametrave fiskale dhe të mos krijojë “situata preferenciale duke favorizuar degë të veçanta të industrive”.

Nga ana tjetër kreu i shtetit thotë se vendimi për të përjashtuar nga taksat e rentës minerare sipërmarrjet e këtij sektori mund të ndikojë jo pak në pushtetin vendor duke prekur të ardhurat e tyre dhe projektet e investimeve. Në këtë pikë Meta thotë se po aplikohet standard i dyfishtë dhe rrezikohet kufizimi i rolit të qeverisjes vendore në njësitë e tyre territoriale.

“Meqënëse burime natyrore të kësaj natyre janë jo të rinovueshme, qeveria ka një përgjegjësi të madhe për të siguruar që vendi dhe komuniteti do të marrin përfitime, duke përfshirë tatimet dhe rentën sepse një herë që burimi është shfrytëzuar ai nuk ekziston më,” – kujton Meta.

“Për sa më sipër, përveç humbjeve të të ardhurave në buxhet, dhe diferencimit fiskal mbi baza klienteliste, ndryshimi i propozuar cenon shfrytëzimin me objektivitet të pasurisë kombëtare e cila nëse konsumohet në këtë mënyrë, pa vjelë ato të mira që i takojnë gjithë shoqërisë, konsiderohet shpërdorim flagrant i saj,” – thotë më tej Presidenti.

Ndryshimet e ligjit të taksave për përjashtimin nga taksa e rentës minerare parashikon që deri në fund të vitit 2023 të mos vilen taksa për mineralet metalore që përpunohen në vend dhe eksportohen në formën e nënprodukteve – si ferrokromi, koncentratet e kromit dhe bakrit, – jashtë shtetit. Sipas këtyre ndryshimeve në vijim gjatë vitit 2024 në masën e 1/3-ve.

Tregime të lidhura