Politikë

Basha zotohet se do vendosë një moratorium 1 vjeçar për ndalimin e gjobave për bizneset

Përditësimi i fundit: 22/02/2021 - 10:44
Text size Aa Aa

Kryedemokrati Lulzim Basha prezantoi sot nga selia blu programin për biznesnin dhe anti-korrupsionin, për të cilin tha se ka si objektiv që të fusë Shqipërinë mes 30 vendeve më të mira për të bërë biznes.

Basha u zotua se nëse vjen në pushtet, do të vendosë një moratorium 1 vjeçar, gjatë të cilit do të ndalohen gjobat nga organet lokale apo qendrore për bizneset dhe do të reformohet tërësisht sistemi i inspektimit.

“Ne do ta ulim dhe do ta kufizojmë me ligj edhe numrin e inspektimeve dhe kontrolleve ndaj bizneseve. Gjatë një viti nuk do të bëhen më shumë se 10% inspektime apo kontrolle te bizneseve”, u shpreh ai.

Basha premtoi më tej se do të ulë në mënyrë drastike numrin aktual të gjithë licencave dhe lejeve që jepen sot nga shteti.

“Do të përgjysmojmë afatet ligjore për çdo leje që kërkon vendimmarrje shtetërore, nga 60 ditë për lejet mjedisore të tipit A në vetëm 30 ditë”, u shpreh kryedemokrati.

Ai tha se më tej do të angazhohet që të luftojë për një ekonomi tregu ku nuk sundon monopoli apo oligopoli.

“Do të eliminojmë çdo interpretim ligjesh nga zyrtarët e ministrat duke mbledhur legjislacionin fiskal në një Kod Tatimor të vetëm. Do të eliminoj çdo përjashtim nga ligjet, që sot janë bërë rregull”, u shpreh ai.

Lexoni  gjithashtu:

Basha premton nisjen e bisedimeve me BE-në gjatë takimit me Komisioneren Johansson

Basha zotohet se do të anëtarësojë Shqipërinë me të drejta të plota në Bashkimin Europian

Tregime të lidhura