Thomas Piketty flet për pabarazinë e pasurisë në librin e tij më të fundit

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

INTERVISTUESI

Ai është ekonomisti më i famshëm francez në botë. Gjashtë vjet më parë, libri i tij “Kryeqyteti në Shekullin XXI” shiti 2.5 milionë kopje dhe u përkthye në 40 gjuhë. Thomas Piketty është rikthyer me një libër të ri që ngjall diskutim, “Kapitali dhe Ideologjia”. Në mbi 1.200 faqe, ai vazhdon të trajtojë pabarazitë ekonomike, përmes një udhëtimi krahasues dhe historik.

Thomas Piketty, faleminderit që jeni me ne.

Kriza financiare ka rritur zhgënjimin dhe pakënaqësinë në të gjithë Evropën.

A është veçanërisht e pabarabartë bota ku jetojmë sot?

THOMAS PIKETTY

Ne jetojmë në një botë të karakterizuar nga një zhgënjim i madh, ku ekonomia e drejtë është një mundësi, një sistem ekonomik që lejon një shpërndarje më të mirë të pasurisë. Besoj se ky zhgënjim i madh ushqen fantazitë e identitetit, nacionalizmin në Evropë, ku ka një keqkuptim të madh midis vendeve evropiane, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Italinë, ku të gjithë mendojnë se fajin e kanë të tjerët, dhe se nëse të gjithë i bëjnë gjërat si ata, gjithçka do të ishte mirë. Kjo është pa dyshim e gabuar, sepse ka gjëra që duhet t’i ndërtojmë së bashku. Ky mosbesim i ndërsjellë më shqetëson shumë.

 INTERVISTUESI

Në të vërtetë, lëvizjet popullore duket se janë pothuajse të pashmangshme në të gjithë Bashkimin Evropian dhe pjesën tjetër të botës. Si mund ta shpjegojmë ngritjen e tyre të suksesshme? Këto lëvizje a po shtrojnë çështjet e duhura në krahasim me partitë tradicionale?

THOMAS PIKETTY

Debatet që kemi sot mbi atë që quhet populizëm, një kuti në të cilën nganjëherë vendosim gjithçka dhe çdo gjë, ndonjëherë mund t’i klasifikojmë si fjalim ksenofobit. Por nganjëherë është ligjërim ekonomik në dukje i lirë nga kufizimet, si për shembull, nga shtrëngimi i borxhit publik. Pra, nuk ka lidhje logjike t’i vendosësh të gjitha këto në të njëjtën kuti, sepse në këtë rast, borxhi publik, për shembull, mund të tregojë që po, shpesh vendet e kanë çliruar veten nga kufizimet. Për shembull, Gjermania apo Japonia në vitet ‘50  e ulën në mënyrë drastike borxhin me taksa të jashtëzakonshme mbi trashëgiminë më të lartë private, dhe ishte një sukses, ishte një sukses i madh. Mund të flasim edhe për forma shumë progresive taksimi mbi të ardhurat më të larta, mbi pasuritë më të larta, të cilat u zbatuan në Shtetet e Bashkuara midis viteve 1930 dhe 1980. Pra, është thelbësore t’u hedhim një sy shembujve të historisë nëse duam të zgjidhim problemet e sotme. Nëse përqendrohemi vetëm në të tashmen dhe në siguritë tona, atëherë jo vetëm që do të dështojmë t’i zgjidhim gjërat, por do t’i lëmë derë hapur edhe ndryshimit të identitetit. Kur shpjegon se sistemi ekonomik nuk mund të ndryshohet, se nuk mund t’i zvogëlojmë pabarazitë midis klasave sociale, që shtetet nuk mund të bëjnë asgjë më shumë sesa të kontrollojnë kufijtë dhe identitetin e tyre, atëherë nuk duhet habitur që në fund debati do të përqendrohet në çështjet e sigurisë kufitare.

 INTERVISTUESI

Do të ngrihet një Komision i ri Evropian i udhëhequr nga Ursula Von der Leyen e Gjermanisë. Ajo pason Jean-Claude Junckerin e Luksemburgut, i cili qëndroi për pesë vjet në Bruksel. Cili është vlerësimi juaj për pesë vjetët nën drejtimin e Junckerit?

 THOMAS PIKETTY

Nuk prisja gjëra të mëdha, dhe është e vërtetë që për këto çështje, veçanërisht për taksat dhe për drejtësinë sociale në Evropë, nuk bëhet asgjë dhe kjo është shumë serioze. Sepse kemi një divorc midis klasës punëtore, klasës së mesme dhe ndërtimit të Evropës, dhe më përgjithësisht me globalizimin. Kjo ndarje është bërë shumë e gjerë. Këtë e shpalos edhe në librin tim. Ku shqyrtoj strukturën e votimit rreth Bashkimit Evropian. Po të marrim shembull votimin e BREXIT, vetëm 30% më të favorizuarit në aspektin e të ardhurave, arsimit dhe trashëgimisë votuan për të qëndruar në Bashkimin Evropian. Pjesa tjetër, 70%,  votoi kryesisht për t’u larguar. Merrni shembullin e votimit për referendum për “Traktatin e Mastrihtit” në vitin 1992 në Francë, po e njëjta gjë. Merrni shembullin e votimit për “Traktatin Kushtetues Evropian” të vitit 2005, e njëjta gjë. Dhe kur kjo ndodh brenda një çerek shekulli në dy vende që konsiderohen shumë të ndryshme në qëndrimet e tyre ndaj Evropës, kur ka një ndarje kaq të theksuar shoqërore, mendoj se ka vend për pyetje.

INTERVISTUESI

Pra, duhet të presim edhe pesë vite në të njëjtën gjendje?

THOMAS PIKETTY

Jo, jo sepse i besoj inteligjencës kolektive. Nuk mendoj se duhet të presim krizat e ardhshme financiare ose politike, apo referendumin tjetër të tipit “BREXIT” para se të veprojmë. Nuk mund të presim derisa 28 vendet e BE-së të bëhen 27, dhe ndoshta 26 dhe 25. Nuk mund të presim derisa të gjitha këto të shemben.

INTERVISTUESI

A mendoni se BREXIT mund të jetë një kuti “Pandora” dhe papritmas të çojë në largime të tjera nga Bashkimi Evropian pavarësisht nga vështirësitë aktuale?

THOMAS PIKETTY

Mendoj se të imagjinosh që BREXIT është vetëm përgjegjësi e britanikëve për shkak të nacionalizmit të tyre, do të ishte një gabim i madh. BREXIT pasqyron edhe një model evropian që nuk funksionoi sidomos pas krizës së vitit 2008. Ju e dini që në vitet 2012, 2013, kur zona e euros kishte rënë përsëri në recesion pjesa tjetër e botës u ngrit në këmbë dhe Shtetet e Bashkuara kishin dalë tashmë nga kriza e vitit 2008.

E gjitha kjo ndikoi te këndvështrimi që kishte Mbretëria e Bashkuar për Bashkimin Evropian, e shikonte si një vend ku nuk donte të bënte pjesë. Në këtë kontekst u zhvillua projekti i referendumit, njësoj si konteksti i referendumit të Katalonisë për të dalë nga Spanja. Prandaj, duhet t’i largohemi thënies së vazhdueshme, “Është e gjitha një keqkuptim, klasa e mesme dhe ajo punëtore do ta kuptojnë”.

Një tjetër gjë që shoh dhe dëgjoj në Francë ditët e sotme është se klasat popullore përshkruhen si “nacionalistë të pashërueshëm”, “racistë të pashërueshëm”. Për më tepër, ata kanë votuar për tubimin kombëtar ose Frontin Kombëtar, kështu që ne nuk na intereson. Jemi ne të privilegjuarit që vendosim si ta bëjmë politikën sepse e dimë se çfarë është e mira. Këtë shoh që po ndodh sot në Francë dhe është një qëndrim që po na krijon kushte për zhvillime të tmerrshme në të ardhmen. Duhet të shpëtojmë nga kjo.

INTERVISTUESI

Nëse partitë tradicionale të qendrës së majtë dhe të djathtë nuk u përgjigjen klasave popullore, a është fundi i Bashkimit Evropian që njohim sot?

THOMAS PIKETTY

Bashkimit Evropian mund t’i vijë fundi me largime në seri ose mund të vihen në zotërim të forcave ksenofobe dhe raciste, gjë që tashmë po ndodh. Sepse kur ke një komisioner evropian për mbrojtjen e mënyrës evropiane të jetesës, kur për dhjetë vjet kanë vdekur dhjetëra mijëra njerëz në Mesdhe, ndërsa Evropa i ka mjetet për të qenë më mikpritëse, kur ke një popullsi prej 520 milionë njerëzish, hapësira më e pasur në botë, dhe ndërkohë shpjegon se është e pamundur të pranosh një milion emigrantë në vit, do të thotë që nuk po tregohemi racionalë. Dhe kështu, në njëfarë mënyre jemi bërë dëshmitarë të zotërimit të Bashkimit Evropian nga ligjërimi ksenofob, që është diçka më e keqe se shpërbërja e tij sepse të paktën diçka që është thyer mund ta rindërtosh. Nuk do të më pëlqente të zgjidhja midis dy mundësive, prandaj të jemi pozitivë. Më intereson më shumë të gjej zgjidhje sesa të shqetësohem për gjërat që nuk funksionojnë.

Zgjidhje të tilla si një Asamble Franko-Gjermane ose Asamble Franko-Gjermane-Italiane apo Belge. Të kemi një politikë të përbashkët të investimeve shoqërore, investimeve ekologjike, drejtësisë tatimore, dhe më pas të hapet një projekti i tillë për të gjitha vendet që duan t’i bashkohen. Të hartohet si plotësues i Bashkimit aktual Evropian, sigurisht jo duke e zhbërë, dhe kjo është e mundur.

 INTERVISTUESI

Thomas Piketty, shumë faleminderit për kohën tuaj.

THOMAS PIKETTY

Faleminderit ju.

Etiketimet

Ish-presidenti Rexhep Mejdani “kundër” vendimit për shkarkimin e Metës

Ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Rexhep Mejdani e konsideron situatën aktuale politike në vend “të trishtueshme”. Në një prononcim ekskluziv për Euronews Albania, z. Mejdani...

Destinacion udhëton në Leskovik, qytezën e vogël me një natyrë të mrekullueshme

"Destinacion" shkon në Leskovik, qytezën e vogël plot njerëz të urtë, punëtorë e bujar. Në këtë qytet mund të shijoni natyrën e mrekullueshme dhe...

Regjistrohu për të marrë NEWSLETTER