44,2% e shqiptarëve e vlerësojnë vitin që lamë pas si as të mirë, e as të keq. Një në tre qytetarë e përjetuan mirë 2021-shin dhe thuajse një në çdo katër shqiptarë mendon se 2021-shi ishte një vit i keq për ta.
Gjetjet e Barometrit në Euronews Albania mbi vitin që lamë pas dhe pritshmërinë për vitin e ri, tregojnë se ata që janë të kënaqur me vitin 2021, janë kryesisht votues socialistë (50,8%). Më të pakënaqur janë votuesit neutralë (50%), ata demokratë (47,5%) dhe në fund votuesit socialistë (41,4%).
Viti 2021 ka qenë i mirë për thuajse të gjithë shqiptarët në marrëdhëniet e tyre familjare (94,4%), marrëdhëniet me partnerin/en (85,4%) si dhe për marrëdhëniet me kolegët (85%).
Ndryshe tregohet situata ekonomike e shqiptarëve. Një e treta e shqiptarëve (36,4%%) e ka përjetuar mirë ekonomikisht vitin që lamë pas. 42% e tyre nuk e vlerësojnë as mirë dhe as keq dhe 21,6% të tjerë e vlerësojnë 2021-shin si të keq sa i përket gjendjes së tyre ekonomike.
Sa i përket shëndetit, 63% e qytetarëve e kanë vlerësuar si të mirë vitin 2021 dhe vetëm një në dhjetë shqiptarë (10,3%) e ka vlerësuar si një vit të keq për ta personalisht.
Anketa u zhvillua për Barometrin e Euronews Albania – nga kompania MRB dhe DataCentrum – në datat 20 – 30 nëntor 2021 me 1000 intervista ballë për ballë në familje.