“Destinacion” shkeli në pyjet e Ahut, fushën e Draganit, liqenin malor dhe fshatin Zabzun ku ka lindur Qemal Stafa, por edhe trojet e prejardhjes së Kemal Ata Turkut.
Në Bjeshkët e kësaj zone ndahen malet e Dibrës, Librazhdit dhe Maqedonisë së Veriut.
Udhëtimi i “destinacion” është fokusuar në fshatrat e njësisë Stëblevë, fshatra të cilët i përkisnin Dibrës, por me reformën territoriale të vitit 2015 u bënë pjesë e Librazhdit. Në këtë zonë flitet përgjithësisht shqip, edhe pse si zonë e kap Golloborda.
Tokat e Fushë-Studenit që gjendet në këtë zonë, janë pjellore. Në stinën e vjeshtës patatja është ajo që kultivohet më tepër. Fushë-Studeni është vetëm 88 km nga Tirana dhe rruga kalon përmes Librazhdit.
Fushë-Studeni ka një liqen, tek i cili arrihet lehtësisht në këmbë. Pranë liqenit ka një park të bukur natyror, i cili mund të shfrytëzohet për piknik. Ky park është pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.
Në fshatrat përreth ka kulla të vjetra mbi 200-vjeçare, të stilit dibran, të ndërtuara me gurë.
Për shpellat në këtë zonë thonë se janë gjetur gjurmë që datojnë në shekullin e 13-të. Maja e gurit, e cila duket me sy të lirë nga parku, preferohet kryesisht për hiking.
LEXONI GJITHASHTU: