Fadil Mziu, banori i lagjes “5 Maji” në Tiranë e kaloi natën në gërmadhat e banesës së tij, e cila u shemb pak ditë më parë, pas një vendimi të qeverisë për një projekt rindërtimi.
“Mbesat e fëmijët i kemi çuar tek njerëzit e mi, kurse ne të rritur kemi qenë të gjithë në këtë pozicion përpara shtëpisë”, thotë ai, teksa është i shqetësuar, pasi nuk kanë një banesë ku mund të strehohen.
Mziu tregon edhe momente nga shoqërimi i të birit, i cili u përpoq t’i bënte rezistencë policisë, por pavarësisht thirrjeve dëshpëruese dhe tentativës për vetëflijim, nuk ia arriti qëllimit për të mbrojtur shtëpinë.
“Kanë përdorur dhunë duke i vendosur gishtin në fyt dhe gishtin e madh për t’i bllokuar frymëmarrjen për gati cerek ore. Gjithçka është e filmuar”, tha ai.
Babai i tij tregon se i biri është ende në spital.
Ndërsa thekson se banesa e tij nuk ka qenë e prekur nga tërmeti dhe nga ana tjetër paguan ende kredinë për të, ai rendit dhe arsyet pse nuk e firmosi marrëveshjen me bashkinë.
“Shtëpia ime nuk është paligjshme, jam me dokumente, me hipotekë. Shtëpia ime, nuk është cenuar fare nga tërmeti. Nuk kemi asnjë informacion se ku do të vendosemi”, shprehet ai.
Klodian Laçi, është një tjetër banor i zonës që u rikthye në gërmadhat e banesën e tij të shembur.
Ditën e protestës kundër shembjes se banesave ai u shoqërua nga policia dhe u procedua penalisht, por për të arsyeja mbetet ende e paqartë.
“Më vjen për të qeshur, se ishte shkelje penale pse qëndroje para banesës”, thotë ai.
Ndonëse familjeve u është premtuar një bonus qeraje, Klodiani shprehet se 18-27 mijë lekë është i pamjaftueshëm. “Shtëpia më e lirë që mund të gjej është deri në 300 euro”, shprehet ai.