Analisti, Plator Nesturi thotë se përçarja në Partinë Demokratike do të çojë në krijimin e dy forcave politike brenda saj.
Retorika e ashpër tha ai përjashton mundësinë e një rruge për të gjetur bashkëpunim mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës.
“Minimalisht kjo do të sjellë dy subjekte politike që do të jenë në luftë me njëra-tjetrën dhe jo me mazhorancën”, tha Nesturi.
Analisti parashikon se nëse Basha dhe Berisha do të garojnë me forca të ndryshme politike në zgjedhje, të dy bashkë nuk do të arrijnë të mbledhin dot aq vota sa PD dikur.
Sipas Nesturit kriza brenda PD ka qenë e pranishme prej kohësh por ishin mbyllur sytë dhe pezullimi i Berishës solli ‘plasjen’.
Zgjedhjet e pjesshme lokale, Nesturi i cilëson një element ku të dy palët mund të reflektojnë për të gjetur zgjidhje.
Analisti thotë se Berisha mund të hyjë në zgjedhje me kandidatë me një sigël të re partiake ose duke paraqitur kandidatë të pavarur.
Sipas tij në të dy rastet opozita do të dalë e humbur dhe ky moment mund të shërbejë për të ulur përplasjet brenda PD dhe për të afruar dy palët.