Etjen Xhafaj, deputeti i Partisë Socialiste thotë se rrethanat kanë ndikuar në ngecjen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ai thotë se kushtet teknike dhe politikë janë plotësua tashmë.
“Tani nuk është më çështje e reformave apo e problemeve që duhen adresuar nga qeveria shqiptare por janë probleme që kanë të bëjnë me vendimmarrjen evropiane. Kjo nuk po ndodh vetëm me Shqipërinë, ne kemi parë në vende të tjera dhe në Maqedoninë e Veriut pak javë më parë ku pati zgjedhje, që ka një lodhje me pritjen për t’u hapur mundësia e mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare”, ka deklaruar Xhafaj.
Ina Zhupa, deputete e Partisë Demokratike është e mendimit se Shqipëria çdo ditë po largohet nga standardi evropian nisur nga lufta ndaj korrupsionit apo çështje që lidhen me mbrojtjen e mjedisit.
“Nuk është çështje e vendeve anëtare. Nuk ka vende anëtare në BE që të kenë inat Shqipërinë dhe të jenë me qasje negativiste, përkundrazi e kanë parë gjithmonë pozitivisht. Por kur shikojnë atë që ndodh me Shqipërinë dhe raportet e KE, tregojnë të gjitha problematikat”, deklaroi Zhupa.