Fakti që Lulzim Basha ka qëndruar në zyrën e tij në kohën kur Sali Berisha takonte demokratët gjatë foltores, ka bërë që edhe mbështetësit të tij të kenë të njëjtin qëndrim pasiv, gjë që e disavantazhon kreun e Partisë Demokratike. Kështu u shpreh në emisionin “Shock” analisti Andi Bushati.
“Lulzim Basha ka qenë i mefshtë dhe i vonuar në reagimin ndaj aksionit të Sali Berishës”, tha Andi Bushati.
Në lidhje me zbritjen në terren te militantët e PD-së në Dibër ditën e sotme, Andi Bushati tha se ishte veprim i vonuar dhe po e bën “jo duke qenë real, por duke përdorur kasetat e gatshme”.
Andi Bushati vuri gjithashtu në dukje se fjalimi i Lulzim Bashës në Dibër ditën e sotme, pavarësisht se është transmetuar si në lidhje direkte nga disa televizione dhe në faqen zyrtare të Bashës në Facebook, në të vërtetë ka qenë i regjistruar disa orë më përpara.
Këtë e komentoi edhe analisti Baton Haxhiu, i cili tha se nëse nuk është bërë për arsye teknike, atëherë tregon mungesë transparence ndaj publikut.
Baton Haxhiu u shpreh se Lulzim Basha është i vonuar në reagimin ndaj aksionit të Sali Berishës, por jo sepse ka pasur ndërgjegje për të mos reaguar ndaj Sali Berishës.
“E kam kritikuar Bashën se ka qenë i vonuar në daljet e tij publike, por në fillim kam thënë që ka një ndërgjegje të brendshme që të mos ballafaqohet me Sali Berishën. Për të dytën nuk jam më i sigurt”, u shpreh Baton Haxhiu.