Trafiku i kokainës hap dhjetëra kompani të reja për importin e frutave ekzotike nga Amerika Latine

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Dokumentari Unpublished investigon skemën e trafikut të kokainës dhe se si bizneset e import- eksportit të frutave ekzotike përdoren për trafikun e kokainës nga Amerika Latine me destinacion final vendet e Bashkimit Evropian.

Në 10 vitet e fundit shifrat e importit të bananeve pothuajse janë dyfishuar, ku nga 17 mijë tonë në 2010, importi ka shkuar në 31 mijë tonë banane në 2020. Dhe ky shtim importi, përkon edhe me shtimin e numrit të kompanive të reja që merren me importin e frutave ekzotike nga vendet e Amerikës Latine. Kjo është mënyra më e përhapur vitet e fundit, për shfrytëzimin e Shqipërisë si vend tranzit për kalimin e kokainës për në Perëndim. Por me përjashtim të një rasti, operacionet policore për kapjen e kokainës janë bërë të gjitha në port. Aty arrihet të kapet vetëm transportuesi dhe jo porositësi i ngarkesës. Sipas policisë kjo ndodh për disa arsye.

“Nuk është e thënë që e kemi të garantuar, që në atë pjesë të kontenierit apo në x vend ka kokainë. Informacioni mund të vijë i pjesshëm, që do të thotë mund të dyshohet. Ka pasur plot raste edhe më përpara, edhe më pas që mund të kemi kontrolluar kompani apo kontenierë të tjerë dhe nuk ka pasur rezultate. Vendimet merren me vendimin e prokurorit, në drejtimin e grupet hetimor. Pra mos i paragjykojmë sepse edhe ne dëshirojmë që të arrijmë te koka, askush nuk ka dëshirë që të kapi element bashkëpunëtorë të nivelit të dytë apo të nivelit të tretë,” – tregon shefi i Seksionit të Narkotikëve në DPPSH, Rezar Velmishi për Unpublished në Euronews Albania.

Rritja më e ndjeshme në importin e bananeve dhe themelimin e kompanive që i importojnë është bërë në 3 vitet e fundit. Themelimi i subjekteve të reja në QKR, bëhet menjëherë pas kapjes së ngarkesave me kokainë. I tillës është edhe rasti i kompanisë “Massabi Fruits”.

Kompania “Massabi Fruits” me administrator shtetasit Erion Peti dhe Klajdi Xibraku është themeluar në 28 shkurt 2018, pra tre javë pas kapjes së ngarkesës më të madhe në vend 613 kg kokainë, për llogari të kompanisë së drejtuar nga Arbër Çekaj.

Një ditë pas hapjes së Massabi Fruits, në datën 21 mars 2020, themelohet një tjetër kompani bananesh, subjekti Exoalmax me pronar shtetasin Selim Çekaj, babai i Arbër Çekaj. Ai u arrestua më 1 prill të këtij viti, pasi 49 kg kokainë u gjetën në ngarkesën me banane të porositur nga kompania e tij. Këto janë vetëm disa kompani që janë hapur tre vitet e fundit, pasi janë hapur me dhjetëra të tjera.

Këto kompani të import – eksportit të bananeve ndjekin një itinerar për transportin e kokainës dhe dokumentari Unpublished përshkon këtë rrugë.

Nisja e ngarkesës bëhet me anije të mëdha nga porti “Simon Bolivar” në Ekuador, për të mbërritur në tre porte kyçe tranzitimi në Evropë siç është porti i Gioia Taura në Kalabri; Porti i Pireut ne Greqi ose Porti Valleta në Maltë. Procedura vijon me shkarkimin e kontenierëve nga anijet me kapacitet oqeanik për ti ngarkuar këta kontenierë në anije të vogla, për t`u nisur drejt destinacionit, portit të Durrësit. Pra rruga që përshkon kokaina është kjo: Ekuador- Kalabri – Pire – Maltë – Durrës.

Ky aktivitet kriminal sjell shumë të ardhura të cilat po investohen në biznese dhe kjo sjell vështirësi në hetimin e pastrimit të parave.

“Një aktivitet kaq i rëndë kriminal, me sasi të tilla lëndësh narkotike që kërkon shpenzime shumë të mëdha, por që edhe jep fitim shumë të madh, natyrisht këto para të pista do të investohen diku. Këtu krimi merr një natyrë tjetër, nga ai vendi ku mbillej hashash, nga rruga e heroinës apo kokainës, futemi në atë krimin e jakave të bardha. Krimi shndërrohet në biznes dhe në këto kushte vështirësohet hetimi i pastrimit të parave,”- thotë ish prokurori Besnik Muçi për dokumentarin Unpublished në Euronews Albania.

 

Etiketimet

Mijëra qytetarë nderojnë 3 viktimat e sulmit me armë në Deçan

Mijëra qytetarë në Deçan kanë ndezur qirinj për tre personat që u vranë mbrëmjen e së premtes pas një sulmi me armë ndaj një...

Festat e Nëntorit, kalendari i aktiviteteve që mund të ndiqni më 28-29 nëntor

Aktivitetet për fesat e Nëntorit kanë nisur që të premten në Tiranë, me ekspozita dhe diskutime për figurat e rëndësishme që kontribuuan në pavarësinë. Në...

“Konaku i Rrajcës” aktiviteti që ruan trashëgiminë folklorike të zonës

Me qëllim ruajtjen e traditave dhe kulturës të zonës, si dhe përcjelljen te brezat e rinj një grup artistësh nga Rrajca kanë organizuar "Konakun...

Regjistrohu për të marrë NEWSLETTER