4 pika interesante që ia vlen të vizitohen në Pukë

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Rrethuar nga pyjet me pisha të maleve të Krrabit, Tërbunit apo Munellës, Puka është një nga zonat që ofron më shumë për sa i përket turizmit të aventurës në Shqipëri pasi ka plot maja që mund të ngjiten, ujëvara apo dhe shpella që mund të eksplorohen.

Zona ka një histori mbi 1800-vjeçare që dëshmohet nga gjetjet arkeologjike të tumave ilire dhe kulturës së Komanit. Ndërsa qyteti – që ndodhet rreth 140 kilometra në veri të Tiranës, – është bërë i njohur edhe prej faktit se aty dha për disa vite mësim poeti Migjeni (Millosh Gjergj Nikolla, 1911-1938).

Më poshtë Euronews Albania, nisur nga emisioni “Udhëtarët”, sjell një listë me gjërat më interesante që mund të vizitohen në një fundjavë në Pukë.

1. Liqeni artificial i Pukës

Sistemuar disa vite më parë si pjesë e projektit madhor “Rilindja urbane”, liqeni i vogël i Pukës është kthyer në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit pasi ka plot lulishte, shëtitore dhe vendpushime rreth tij që ofrojnë një panoramë fantastike, sidomos gjatë perëndimeve.

Për një guidë më interesante qyteti mund të shëtitet me një tren me rrota ndërtuar nga një sipërmarrës i turizmit. Treni në fjalë është kthyer gjithashtu në një aspekt tjetër tërheqës për qytetin.

Faksimile, Puka/AV Production.

2. Muzeu Migjeni

Poeti i mirënjohur shqiptar Migjeni kaloi disa vite në Pukë si mësues, pasi vuante nga mushkëritë dhe mjekët i këshilluan që të shpërngulej atje për ajrin e pastër që ka. Duke qenë mësues në Pukë, Migjeni shkroi disa nga poemat më të famshme të tij kushtuar mjerimit dhe varfërisë.

Në nder të tij qyteti ka ruajtur në një muze të veçantë disa sende që lidhen me Migjenin, si tavolina ku punonte, tabela ku shpjegonte apo dhe sendet që mbanin nxënësit e tij. Për të gjithë të pasionuarit pas letërsisë, apo dhe aspekteve historike vizita në këtë muze nuk duhet humbur.

Muzeu Migjeni, faksemile/”Udhëtarët”, Euronews Albania.

3. Turizmi i aventurës

Puka ka përreth disa pika tejet interesante për t’u eksploruar. Zona ka të paktën 50 shpella të evidentuara dhe shumica prej tyre janë pak të eksploruara, ndër shpellat më interesante janë ajo e Murgjit (apo Kaurrit) në Koman dhe e Orave në Shkozë. Gjithashtu nuk duhen humbur as ujëvarat si ajo e Kryeziut në Fushë-Arrëz.

Për të pasionuarit pas ecjeve të gjata, apo ngjitjeve të maleve, si pika interesante janë “Maja e Murgës” – rreth 700 metra mbi nivelin e detit, – pranë fshatit Buzhalë (12 kilometra larg qytetit të Pukës) nga ku mund të shihet i gjithë “Liqen i Komanit”, “Maja e Topit” në Malin e Munellës (1,991 m) është gjithashtu tejet interesante. Zona ka livadhe madhështore teksa në pyjet përreth është provuar se jetojnë specie të rralla siç është rrëqebulli (lynx, macja e egër e Ballkanit).

Pamje nga “Maja e Murgës”/Afrim Tahiraj.

4. Produktet “Made in Puka”

Puka përveç aspekteve të natyrës, njihet edhe për prodhimet e saj. Në këtë zonë ambalazhohen disa marka uji, prodhohet birrë, raki, si dhe mblidhen dhe përpunohen plot lloje bimësh mjekësore.

Në fakt një punishte e veçantë në Pukë ka dalluar mjaft vitet e fundit për frutat e pyllit si manaferrat, mjedrat, luleshtrydhet, çajet, bimët mjekësore, mjaltin, apo dhe reçelrat.

Lista mund të vazhdojë shumë më gjatë, por vlen të thuhet se pikërisht kjo pjesë e produkteve të zonës është pjesa që plotëson më tej kërkesat e turistëve, të cilët duan të provojnë dhe diçka tipike, apo karakteristike nga zona që vizitojnë.

Foto ilustruese, faksemile/”Udhëtarët”, Euronews Albania.

“Udhëtarët” këshillojnë…

Për të qëndruar në Pukë, emisioni “Udhëtarët” rekomandon të zgjidhni “Përparim Laçi Guest-House”, vetëm 3 minuta me makinë larg qendrës së qytetit. Me një stilizim tradicional të mjedisit, ku mund të shërbehen edhe gatimet tipike të Pukës si maze apo fli, kjo bujtinë merr nga qetësia e kodrave përreth dhe ofron mundësi për një pushim përrallor nëse jeni në lëvizje.

Për sa i përket guidës në rrethina, “Udhëtarët” këshillojnë që të qasen udhërrëfyes lokalë, sidomos për eksplorimin e shpellave ku duhet pasur kujdes pasi jo të gjitha shtigjet janë të shënjuara. Këshillohet gjithashtu që të udhëtohet me makinë të lartë pasi shumica e rrugëve rurale nuk janë të asfaltuara.

LEXONI GJITHASHTU:

Etiketimet

Reciprociteti për targat serbe, profesori: Dy mesazhet që Kosova i përcolli Brukselit

Aplikimi i reciprocitetit të Kosovës për targat e automjeteve serbe ka prodhuar debate mes Prishtinës dhe Beogradit si dhe ka nxitur reagime nga Brukseli. Blerim...

Çollaku: Rama e ka masakruar Kosovën. Vodo: Ka promovuar interesat e Shqipërisë

Deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku dhe ekspertja e gjeopolitikës, Teuta Vodo janë përplasur mbi idenë e “Open Balkan”. Sipas Çollakut, Rama e ka dëmtuar...

Agon Maliqi: Me rëndësi që Kurti dhe Rama të gjejnë gjuhën e përbashkët në këto momente

Analisti Agon Maliqi u shpreh se qeveria Kurti ka një mbështetje në opinionin publik pas nismës për të zbatuar reciprocitetin e targave me Serbinë,...

Regjistrohu për të marrë NEWSLETTER