“Udhëtarët” në Korçë, qytetin e kulturës, muzeve dhe serenatave

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Me qytetarinë, kulturën dhe jetën nën tingujt e serenatave, qyteti i Korçës njihet rëndomtë si “Parisi i vogël i Shqipërisë”. Pikërisht Korça ishte ndalesa e radhës për “Udhëtarët” Loneta Progni dhe Renaldo Salianji.

Qyteti i Korçës ndodhet rreth 160 kilometra në juglindje të Tiranës. Zona urbane e saj ka zanafillë fundin e shekullit të XV-të me ndërtime të stilit otoman si xhamia e Mirahorit, ndërtuar nga Ilias Bej Mirahori, zona e pazarit të vjetër, apo dhe shtëpitë me rrugicat karakteristike me kalldrëm. Sidoqoftë zhvillimin më të madh qyteti e mori pas shekullit të XIX.

Korça dallon nga qytetet e tjera pasi ka plot histori për të rrëfyer, jo vetëm për historinë kombëtare, por edhe të njerëzve të suksesshëm që kanë lënë gjurmë në qytet.

Për këtë janë së paku 6 muze të cilat ofrojnë shumë për vizitorët, ndërsa krahas tyre pika interesante janë edhe kishat apo xhamitë e vjetra. Anës historike i shtohen traditat e serenatave dhe jetës së natës dhe me to qyteti i Korçës mund të thuhet se përshkruhet plotësisht.

Si çdo vizitë e zakonshme në qytet, edhe Loneta dhe Renaldo nuk mund të mos vizitonin Katedralen e Korçës kthyer në një pikë referimi pasi gjithkush nuk largohet nga qyteti pa një fotografi në shkallët e saj.

Katedralja nisi të ndërtohet pas rrëzimit të diktaturës, e cila i kishte ndaluar fetë. Në mënyrë simbolike gurin e themelit të saj e vendosi më 2 gusht 1994 Kryepeshkopi Anastas. Ajo është e pasur me shumë ikona të shenjtorëve dhe është mbresëlënëse për t’u vizituar edhe nga ata që nuk janë praktikantë të besimit ortodoks. Shumica e ikonave janë dhuruar nga mitropolia dhe qytetarët e Korçës dhe poshtë tyre janë shënjuar edhe emrat e dhuruesve.

Pas Katedrales, pikë fantastike që duhet vizituar me patjetër është “Muzeu i fotografit Gjon Mili”.

Mili (1904-1984), është një nga korçarët më të suksesshëm, pasi spikati si fotograf në revistën e përjavshme amerikane “Life” dhe mundi të fotografojë personalitete dhe artistë të njohur botërisht si për shembull Pablo Picasso, Salvador Dali, Edith Piaf, Elizabeth Taylor etj.

Pioner i përdorimit të fleshit elektrik dhe fotografisë me dritë stroboskopike Mili bëri bujë me fotografitë e Picassos i cili vizaton me një llambë në ajër.

“Në shtypin e kohës shkruhet se Gjon Mili i merr Pikassos një pikturë që ai nuk do ta ketë kurrë, sepse ia merr në negativ [film fotografik],” – tregon përgjegjësi i muzeut Kristi Ktona.

Muzeu i artit mesjetar është një tjetër muze që nuk duhet humbur. Ndërtuar në vitin 1980 ai mbledh bashkë të gjitha ikonat dhe artin pamor të mesjetës. Prej objekteve që ndodhen aty spikat ikona e Kryeengjëllit Mikael, një ikonë e periudhës bizantine, e cila sikurse tregon përgjegjësja e muzeut Fjoralba Prifti, u gjet në një familje të zonës mjaft e dëmtuar, por që është mundur të restaurohet.

Korça është njohur gjithashtu edhe për “Muzeun e Arsimit”, që rëndomtë njihet edhe si “Mësonjëtorja” apo “Abc-ja”. Në këtë muze mund të shihen objekte autentike të hartuesve të parë të alfabetit shqip, apo dhe të nxënësve të parë të gjuhës shqipe.

Por nëse e gjithë kjo anë e historisë mund t’ju lodhë, Korça ka plot mënyra si t’ju çlodhë apo dhe argëtojë. Pasditet në Korçë janë me shëtitjet tradicionale, ndërsa mbrëmjet me muzikë dhe serenata. Gjithashtu kulinaria është specialitet më vete me gatime fantastike si petullat e fshira, lakrori me dy petë, petaniku me fasule, fasulet pllaqi dhe pa harruar kërnackat.

“Udhëtarët” Loneta dhe Renaldo kanë eksploruar pothuajse gjithë veriun, ndërsa deri në fund të muajit korrik pritet të vizitojnë të gjitha vendet e tjera të Shqipërisë.

LEXONI GJITHASHTU:

Etiketimet

Kur të marrim presidencën e BE-së do ju ndihmojmë me integrimin, thotë ambasadori çek

Jemi gati të ndihmojmë Shqipërinë drejt integrimit sapo të marrim presidencën e Këshillit të BE-së, u shpreh ambasadori i Çekisë në Tiranë, Jaroslav Ludva...

Helmimi nga plumbi, mjeku Alimehmeti: Fëmijët e moshës nga 0-5 vjeç më të rriskuar

Fëmijët e moshës nga 0-5 vjeç janë shumë të rriskuar për t’u helmuar nga plumbi, thotë mjeku Ilir Alimehmeti. Në studion e “Mirëmëngjes” ai tha...

Kukulla e ‘Squid Game’ në një park në Korenë e Jugut, tërheq vizitorë të shumtë

Fansat e serialit “Squid Game” po i drejtohen një parku në Korenë e Jugut për të parë kukullën e serialit në përmasa reale. Kukulla e...

Regjistrohu për të marrë NEWSLETTER