“Udhëtarët” vizitojnë Ersekën e sazeve kolonjare dhe fshatin turistik të Rehovës

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Kolonja është një nga zonat më të njohura të juglindjes së Shqipërisë për traditat e saj kulturore, ku dallojnë muzika e sazeve, vallet dhe veshjet karakteristike.

Në kohë të ndryshme nga rrethinat e Kolonjës kanë dalë personalitete me kontribute të çmuara në art dhe kulturë si Petro Nini Luarasi, Skënder Luarasi, Papa Kristo Negovani, motrat Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi, Jani Vetro, Agim Qirjaqi etj.

“Udhëtarët” Loneta Progni dhe Renaldo Salianji ndalen në episodin e radhës pikërisht në këtë zonë duke vizituar fillimisht qytetin e Ersekës e më pas Rehovën.

Qyteti i Ersekës, ngritur rreth shekullit të XVIII, është zona urbane më e zhvilluar në Kolonjë. Ndodhet rreth 40 kilometra në jugperëndim të Korçës, pranë malit të Gramozit (2,520 m).

Muzeu historik dhe etnografik i qytetit është një nga pikat më interesante për t’u vizituar pasi në të mund të shihen rreth 600 objekte, mes të cilave veshjet karakteristike kolonjare dhe historia e kësaj zone. Vlen të thuhet se muzeu ka një basoreliev të skulptorit të mirënjohur Odhise Paskalit, ndërsa në qendër të qytetit ka gjithashtu një obelisk – kolonë me një shqiponjë lart, – të punuar prej tij në vitin 1938 në nder të luftëtarëve kolonjarë.

Aleks Xhelili, shpjegoi për “Udhëtarët” se sazet kolonjare janë një formacion muzikor me saze – vegël e ngjashme me mandolinën, por me dhjetë tela dhe bisht të gjatë, – klarinetë, fizarmonikë, dajre dhe violinë. Muzika me saze është karakteristikë e gjithë juglindjes, por sikurse theksoi Xhelili ajo është lëvruar kryesisht në Kolonjë nga familje si ajo e Vasil dhe Vangjel Podës.

Por për të gjithë ata që janë të pasionuar pas natyrës, jo shumë larg Ersekës ndodhet një fshat mjaft interesant si Rehova.

Më pak se 3 kilometra larg qytetit – rreth 7 minuta rrugë me makinë, – Rehova mundëson një turizëm ndryshe, mjaft të preferuar për të huajt. Rehovallinjtë ruajnë me fanatizëm gatimet tradicionale ndërsa me mikpritje u hapin dyert vizitorëve dhe u ofrojnë atyre edhe bashkëjetesë.

Pikërisht ky lloj turizmi në bashkëjetese është e veçanta e këtij fshati të vogël me rrugica me kalldrëm dhe shtëpi prej guri. Dikur me mbi 100 shtëpi, emigrimi i largoi shumicën e banorëve, megjithatë mundësitë për turizëm kanë dhënë një arsye më shumë për ata që vijojnë të jetojnë në Rehovë që të mos ikin që atje.

Fshati është pranë malit Gramoz dhe ofron një pamje fantastike të lartësisë së tij, ndërsa shpesh preferohet si stacion pikënisjeje për ata që praktikojnë ngjitjet dhe ecjet e gjata në male.

“Udhëtarët” Loneta dhe Renaldo kanë eksploruar pothuajse gjithë veriun, ndërsa deri në fund të muajit korrik pritet të vizitojnë të gjitha vendet e tjera të Shqipërisë.

LEXONI GJITHASHTU:

Etiketimet

Lindita Nikolla për Ramën: Debate të forta pavarësisht bashkëpunimit maksimal

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla tregoi për Euronews Albania se me kryeministrin Rama pavarësisht bashkëpunimit maksimal kanë pasur dhe debate të forta. Ajo u shpreh...

Lindita Nikolla tregon pengun më të madh nga koha kur ishte ministre e Arsimit

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla tregoi për Euronews Albania se nga protesta e studentëve, i ka ngelur merak që nuk iu dha mundësia që...

‘PS të mos sillet si triumfatore’, Lindita Nikolla: Do jem avokate e mirë e opozitës

“Do jem një avokate e mirë e opozitës”. Kështu është shprehur për Euronews Albania, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, teksa shtoi se në çdo...

Regjistrohu për të marrë NEWSLETTER