“Udhëtarët” eksplorojnë kanionet e Osumit në Skrapar

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Njohur rëndomtë për traditat e mikpritjes, por më së shumti për bukuritë e natyrës, Skrapari është një nga zonat me potencialin më të madh turistik të zonës së jugut të Shqipërisë.

Me disa fshatra përreth në të cilat është zhvilluar agroturizmi, zona e kanioneve të Osumit në Skrapar ofron plot mundësi për turizmin e aventurës.

Pikërisht këtë aspekt të Skraparit, por jo vetëm, e përcjellin në serinë e radhës “Udhëtarët” Loneta Progni dhe Renaldo Salianji.

Krahina e Skraparit shtrihet në juglindje të Beratit. Çorovoda është zona urbane më e zhvilluar – diçka më shumë se 50 kilometra larg, rreth një orë e gjysmë rrugë me makinë. Nga ky qytet, fshatrat përreth dhe pjesa e kanioneve janë lehtësisht të arritshme.

Kanionet janë formuar prej forcës gërryese të lumit Osum gjatë dy-tre milionë viteve. Lumi në periudha të ndryshme dhe sidomos në kohë me reshje, ndryshon ndjeshëm prurjet, dhe vitet e fundit është preferuar për aktivitetin e rafting – vozitje në gomone përgjatë rrjedhës së rrëmbyer të lumit.

Vlen të thuhet se kanionet e Osumit janë të mbushura me legjenda, të cilat e bëjnë dhe më interesante vizitën në to.

Pamja përrallore e kanioneve mund të shijohet duke nisur nga 10 minuta larg qytetit të Çorovodës në “Lakoren panoramike të flamurit”, ngritur rreth 120 metra mbi nivelin e lumit.

“Pika është njohur për vizitorët me këtë emër, prej faktit se vendi ekzistues, ashtu i sajuar siç ka qenë, ka pasur një flamur,” – shpjegoi Krenar Xhaferri, drejtor i turizmit në Skrapar.

Pas kësaj ndalese, pak më tutje gjendet një vend i shenjtë për bektashinjtë, siç është e ashtuquajtura “Gjurma e Abas Aliut”, e cila lidhet me legjendën se si Aliu erdhi në Tomor.

“Shehri Abas Ali, në kohën e luftërave fetare, ka fluturuar nga Meka me kalin e tij të bardhë […] dhe ka lënë të paktën dy gjurmë, një gjurmë kali dhe një gjurmë të shkopit të tij,” – tregon Xhaferri një pjesë të legjendës në vendin ku besimtarët ndezin qiri dhe luten dhe shprehin dëshira.

Jo shumë tutje këtij vendi të shenjtë është një tjetër vend i rrethuar me legjenda, e ashtuquajtura “Vrima e nuses”.

“Vajza e një fshati këtu pranë u martua pa dëshirë me një djalë të një fshati tjetër, […] rrugës me krushqit, ndaloi këtu dhe iu drejtua shkëmbit ‘Hapu o shkëmb dhe më shpëto nga ky siklet!’… në atë moment u hap kjo gropë e madhe dhe nusja rrëshqiti në të dhe u zhduk,” – shpjegon Xhaferri gojëdhënën për një birë të hapur në shkëmb, e cila lidhet me kanionet poshtë.

Por përveç aspekteve mahnitëse që ofron natyra e kanioneve, Skrapari është një vend gjithashtu interesant për t’u vizituar edhe prej traditave dhe kulturës.

Fshatra të ndryshëm mbajnë ende zakonet e vjetra të mikpritjes me raki, këngë dhe valle. Këto i sjell në mënyrë të veçantë Renaldo, i cili vizitoi disa shtëpi dhe në fund shijoi dhe vallen e kënduar, veçanti për Skraparin pasi është një valle dyshe e interpretuar nga gratë.

“Udhëtarët” Loneta dhe Renaldo kanë eksploruar thuajse gjithë veriun dhe zonën e Shqipërisë së mesme, ndërsa deri në fund të muajit korrik pritet të vizitojnë të gjitha vendet e tjera të vendit.

“Udhëtarët” këshillojnë…

Emisioni “Udhëtarët” këshillon që për të arritur zonat më të thella të Skraparit të përdorni makina të larta pasi rrugët rurale nuk janë tërësisht të rregulluara.

Ndërkohë për sa i përket eksplorimit të kanioneve këshillohet që të zgjidhni me patjetër një guidë lokale dhe të jeni me pajimet e duhura si veshje kundër ujit, pajisje “GPS” apo dhe kokore pasi shpesh në kanione bien gurë dhe rrjedha e lumit mund të ndryshojë në varësi të kushteve atmosferike – reshje lokale gjatë vijës së lumit.

Po kështu “Udhëtarët” ju këshillojnë të zgjidhni “Hotel Kanione” në Çorovodë si pikë ndalese për udhëtimin tuaj gjatë eksplorimit të fshatrave turistikë dhe kanionet e Skraparit.

LEXONI GJITHASHTU:

Etiketimet

“Conference League”, Laçi e Prishtina kalojnë në fazën e tretë, eliminohen Partizani dhe Drita

Laçi e Prishtina ia dolën të kualifikohen për në fazën e tretë eliminatore të “Conference League”, ndërsa Partizani dhe Drita u eliminuan. Prishtina e siguroi...

Kalon ligji për shtetësi në RMV, iniciativë e partive shqiptare

Me 57 vota “Pro” dhe 32 “Kundër”, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi ligjin për shtetësi. Me ndryshimet në këtë ligj synohet të zgjidhet...

Armando Subashi mohon që deklarimet e Petro Koçit të jenë akuza ndaj tij

Akuzave të deputetit të zgjedhur të Partisë Socialiste, Petro Koçi për tenderët në bashkinë e Fierit, u është përgjigjur herë të parë kryetari i...














Regjistrohu për të marrë NEWSLETTER