Rajoni

Komisioneri për Zgjerim: 373 mln € për Ballkanin, 38 mln € për ndërhyrje të menjëhershme

Përditësimi i fundit: 25/03/2020 - 16:14
Text size Aa Aa

Komisioneri i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, ka bërë të ditur ndihmën e menjëhershme që do t’u ofrojë BE vendeve të Ballkanit për t’i bërë ballë krizës me coronavirusin COVID-19.

“U shkrova kryeministrave të Ballkanit Perëndimor për t’u bërë të qartë që ne do të jemi përkrah rajonit në luftën kundër pandemisë së coronavirusit”, tha ai.

“Jemi duke ndarë 38 milionë euro për mbështetje të menjëhershme të sistemeve shëndetësore, si dhe është parashikuar të jepen rreth 373 milionë euro për rimëkëmbje ekonomike e shoqërore”, deklaroi ai.

 

Vendet e Ballkanit Perëndimor, rajonit më të varfër të Europës, kanë probleme të shumta me sistemin e shëndetësisë, që nga mungesa e stafit, për shkak të largimit të mjekëve dhe infermierëve në vende perëndimore, si Gjermania, e deri te mungesa e infrastrukturës spitalore, e pajisjeve mjekësore dhe ilaçet.

Kjo deklaratë e BE-së vjen pak kohë pasi presidenti i Serbisë, Alexandar Vucic, mbajti një deklaratë me tone të ashpra kundër BE-së, duke u thënë “faleminderit për asgjë”, pasi Komisioni Europian vendosi që të ndalojë eksportin e pajisjeve mjekësore në mënyrë që mallrat të mbeteshin brenda bllokut, për t'i bërë ballë krizës me coronavirusin.

 

Deri më tani, nga vendet e Ballkanit, Serbia ka identifikuar më shumë të infektuar, 303 në total. Numri i të vdekurve ka qenë 4. Në Shqipëri janë identifikuar 143 të infektuar dhe ka pasur 5 vdekje, ndërsa Kosova ka raportuar vdekjen e parë dhe ka shpallur gjithashtu shtetrrethimin.

Në Maqedoninë e Veriut janë 177 të infektuarit dhe 2 të vdekur, ndërsa në Mal të Zi ka 52 të infektuar, 1 të vdekur.

Situata me përhapjen e coronavirusit në Ballkan i ka detyruar qeveritë të marrin masa për të kufizuar lëvizjet e popullisë dhe mbylljen e shumë bizneseve, gjë që ka krijuar një pasiguri të madhe në një rajon ku situata ekonomike është mjaft e brishtë që tani.

Tregime të lidhura