Rajoni

Themelet e shtëpisë së Nënë Terezës kthehen lulishte, Skënder Asani: Përpjekje për të zhbërë kulturën shqiptare

Përditësimi i fundit: 19/05/2020 - 16:51
Text size Aa Aa

Kthimi në lulishte i ish-shtëpisë së Nënë Terezës në sheshin qendror të Shkupit ka ngjallur reagime të shqiptarëve.

Skënder Asani, drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve, shpjegoi për Euronews Albania se çështja ka të bëjë me tjetërsimin e pronës dhe zhbërjen e kulturës shqiptare.

Çështja ka zanafillë projektin Shkupi 2014, i cili parashikonte veshjen e kryeqytetit maqedonas me arkitekturë neoklasike dhe që tjetërsonte kështu diversitetin kulturor.

Asani u shpreh i zhgënjyer me mungesën e reagimit të partive shqiptare. Ai tregoi se, njësoj si sot, asokohe u ndërhy edhe në pjesën e lagjes së shqiptarëve ku dikur jetonin familje katolike.

“Aty ka pasur shtëpinë edhe Gonxhe Bojaxhiu. Aty ka lindur. Pra ka qenë në pronësi të saj. Mbi themelet e shtëpisë në fillim u provua të ndërtohej një kishë orthodokse, por me reagimet tona u bë që aty të mos ndërtohej,” – tha Asani, teksa shtoi se përpjekjet për të zhbërë themelet e shtëpisë së Nënë Terezës vazhduan më tej.

“Pas kësaj, pasoi ndërtimi i një objekti barok me shkallë. Ne reaguam fuqimisht edhe atëherë. Njoftuam bashkësinë ndërkombëtare dhe raporte të shumta patën reagimet tona. Ndryshimet politike, sollën dhe njëfarë qetësimi, por ja ku jemi sot. Nuk e kemi besuar që edhe kjo qeveri me qëllime euroatlantike do të synonte t’i zhbënte themelet e shtëpisë së nobelistes,” – u shpreh Asani.

Aktualisht situata ka nxitur reagime, pasi mbi themelet e shtëpisë është mbjellë bar artificial dhe është pamundësuar vajtja te memoriali kushtuar shenjtores.

Në vitin 1980 gjatë vizitës në Shkup, Nënë Tereza mbolli aty pisha, buzë së cilave aktualisht ndodhet pllakata përkujtimore.

Asani e quajti një vend të shenjt për shqiptarët e Shkupit. Pas reagimit autoritetet vendore vendosën disa pllaka mbi bar dhe është rënë dakord që të rivijëzohet për t’u nxjerrë sërish në dukje vendi ku ndodhej shtëpia e Nënë Terezës.

Një hapësirë e gjelbër është vendosur në sheshin e Shkupit në zonën kur dikur ndodhej shtëpia e Nënë Terezës.

Instituti për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut ka kërkuar ndërprerjen e projekteve të tilla duke denoncuar atë që e konsideroi si përpjekje për të zhdukur gjurmët shqiptare të Gonxhe Bojaxhiut.

Tregime të lidhura