Surroi i jep të drejtë Ramës për ‘Minishengenin’, por thotë se ideja u prezantua gabim

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

 “A gaboi Kosova me qasjen ndaj minishengenit?” – pyeti gazetarja Ilva Tare të ftuarin Veton Surroi, analistin dhe shkrimtarin e njohur nga Kosova.

Z. Surroi u përgjigj se Kosova kishte gabuar, por tha se kritikat ndaj mënyrës si ishte prezantuar nisma rajonale kishin qenë të drejta.

“Ndër ata njerëz nga Kosova përfshirë edhe unë, të cilët e kritikuan në kuptimin që jo të idesë, por të mënyrës sesi është prezantuar, të emrit, të hapave politikë përgatitor. Dhe natyrisht duhet kuptuar dhe një ambient objektiv, në atë kohë ne kishim ende një problem mes presidentit dhe kryeminsitrit, nuk kishim një zë në Kosovë,” tha për Euronews Albania Surroi.

Publicisti vazhdoi më tej duke thënë se akuzat që ju bënë kryeministrit shqiptar Edi Rama ishin të padrejta.

“Akuzat që iu bënë kryeministrit Rama ishin të padrejta, ‘po përpiqet të krijojë Jugosllavi, jo tradhtar’, ishin të këqija dhe nuk i kanë hije debatit politik, jo ndërshqiptar, por debatit politik në përgjithësi. Reagimi emocional ishte atëherë rreth kësaj gjëje, reagimi emocional është edhe tani,” u shpreh analisti.

Sipas tij, reagimi emocional nuk i çon përpara interesat e vendeve.

“Atëherë kjo ide ka qenë e keqe sepse ka dalë nga Edi Rama dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe presidenti Vuçiç, ndërsa tash qenka e mirë sepse ka dalë nga Shtëpia e Bardhë dhe në të dyja rastet kemi të bëjmë me mangësi. Kemi të bëjmë me mangësi sepse nuk ekziston një qasje racionale dhe kjo do ta dëmtojë Kosovën sepse duhet të kuptojë se çështja e 4 lirive, e lëvizjes së lirë në Ballkanin Perëndimor, në 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor është një shans i mirë për Kosovën, por është një sfidë e madhe intelektuale politike në të cilën do përgatitur dhe jo ardhur me formulime parrullash politike,” komentoi Surroi.

Pyetur lidhur me rolin e kryeministrit shqiptar Edi Rama si kryesues i OSBE në zhvillimet në Bjellorusi dhe ngacmimet në distancë mes tyre, z. Surroi u përgjigj se “kryesimi i OSBE-së ka qënë një shans i mirë, por Shqipërinë e ka gjetur në moment të keq pa ministër të jashtëm’, si dhe shtoi se Shqipëria duhet të bënte më shumë në ngjarjet e Bjellorusisë dhe reagimet ndaj lëvizjes opozitare atje.

Publicisti foli gjithashtu për zgjedhjet e ardhshme të 25 prillit në Shqipëri, për të cilat tha se janë një shans i mirë për të rigjetur legjitimitetin qeverisës dhe rindërtimin e demokracisë partiake në vend.

“Nëse tash jemi në një situatë ku listat duhet të mbushen me njerëz të cilët duhet të fitojnë vota, atëherë jemi në një situatë ku partitë pësojnë një formë demokratizimi. Opozita është para një sfide  shumë të madhe, duke qenë në opozitë dhe pas dy mandateve do të ishte e natyrshme që pushteti të jetë shumë më i lëndueshëm ndaj sulmit të opozitës. Nga gjykimi im i largët nuk shoh se kjo ndodh në Shqipëri, pra nuk është se opozitës do t’i vijë pushteti vetëm pse ka qenë dy mandate pushteti i partisë socialiste dhe kryeministri Rama. Mund të ndodhë fare lehtë që z. Rama të fitojë edhe mandatin e tretë, nëse nuk ekziston një përbashkim opozitar me një kauzë, me një racionalitet dhe me një liste kredibël njerëzish,” përfundoi z. Surroi.



Etiketimet

‘Të mos gjykohet Salvini’, prokurori: Ai nuk ndaloi në mënyrë të paligjshme emigrantët në 2019

Matteo Salvini nuk duhet të shkojë në gjyq për ndalim të paligjshëm të emigrantëve. Kështu u shpreh prokurori i Katanias, Andrea Bonomi. Sipas tij, vendimi...

“Do të jem këtu deri më 26 prill”, Meta nga Vlora: Nuk preket asnjë votë e vlonjatëve

Nga Vlora, presidenti Ilir Meta bëri sërish një apel të fortë për ditën e zgjedhjeve, ndërsa deklaroi se nuk do të preket asnjë votë...

‘Defender 21’| Ushtarët e Gardës së New Jersey mbërrijnë në Tiranë për të trajnuar FA

Ambasadorja amerikane Yuri Kim mirëpriti sot ushtarët amerikanë nga Garda Kombëtare e New Jersey të cilët mbërritën sot në Tiranë. Ambasada amerikane përmes një postimi...









Regjistrohu për të marrë NEWSLETTER