Rajoni

Greqi, Mitsotakis i shtrin sërish dorën e bashkëpunimit Turqisë

Përditësimi i fundit: 15/09/2020 - 19:20
Text size Aa Aa

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka deklaruar se është i gatshëm për dialog të menjëhershëm me Turqinë lidhur me kërkimet në Mesdhè.

Por, teksa ka pritur në takim presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, Mitsotakis ka përsëritur se procesi duhet të zhvillohet duke u bazuar në respektin reciprok dhe në mirëbesim, në mënyrë që dy vendet të kenë një fqinjësi të mirë.

 “Sa na takon neve, e kam thënë disa herë se fundi i provokimeve do të thotë fillimi i bisedimeve. Ndaj, nëse kemi sinjale të prekshme në këtë drejtim, ne jemi të gatshëm ta nisim dialogun menjëherë. E përsëris, menjëherë!”, tha Kyriakos Mitsotakis, kryeministri i Greqisë.

Ndërsa presidenti i Këshilli Evropian ka theksuar se çështja e kërkimeve në Mesdhè nuk i përket vetëm Greqisë dhe Qipros, por gjithë Evropës, e cila, sipas tij, duhet të tregojë solidaritet.

“Nga njëra anë ne jemi gati të tregohemi të sertë për t’u siguruar që parimet themelore të BE-së dhe vendeve anëtare, si Greqia dhe Qiproja, po respektohen. Dhe në anën tjetër jemi po ashtu gati të shtrijmë dorën për të parë nëse ka gatishmëri për dialog, apo vullnet për të respektuar këto parime thelbësore. Këtë do të diskutojmë edhe në samitin e ardhshëm të Këshillit Evropian, që mbahet më 24 dhe 25 shtator”, tha Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian.

Deklaratat e Mitsotakis dhe Michel vijnë pak ditë pas tërheqjes së anijes eksploruese që Ankaraja kishte çuar në ujërat e debatuara territoriale në lindje të Mesdheut.

Pala turke deklaroi se mjeti do të rinisë operacionet pas një procesi mirëmbajtjeje, por një zyrtar tha se anija mund të qëndrojë më gjatë në port për t’i dhënë një shans diplomacisë.