Rajoni

Segmenti rrugor Shkup-Bllacë, biznesmeni Nazmi Ejupi: Janë pjekur kushtet për të filluar nga puna

Përditësimi i fundit: 15/09/2020 - 11:08
Text size Aa Aa

Biznesmeni nga Maqedonia e Veriut, Nazmi Ejupi tha për Euronews Albania se mungesa e infrastrukturës është faktor kryesor që ul rendimentin e biznesit.

Teksa iu referua segmenti Shkup-Bllacë ai tha se kjo rrugë sjell shumë vështirësi në ecurinë e biznesit, sepse koha e transportit është shumë e madhe dhe nëse bëhen investimet e duhura do të rriten dhe mundësitë për biznes.

“Fajtorët e vërtetë nuk mund t’i gjejmë, megjithatë këtë punë e ka në dorë shteti, përkatësisht qeveria e cila shpresoj se në këtë mandat, pavarësisht përfshirjes në situatën me COVID, janë pjekur kushtet për të filluar nga puna”, - tha biznesmeni Nazmi Ejupi.

Ky segment rruge lidh jo vetëm Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, por edhe Shqipërinë falë pikës kufitare të Qafë Thanës, që sipas Nazmi Ejupit do të jetë një segment rrugor që mund të shfrytëzohet për transportin e mallrave në gjithë Ballkanin Perëndimor.

I pyetur nëse neglizhenca në përfundimin e këtij projekti lidhet me mungesat financiare të qeverisë, biznesmeni tha se nuk mendonte të ishin financat e dobëta problemi.

“Pjesa nga Prishtina në Bllacë është përfunduar dhe na ka lehtësuar shumë punë”, - tha z. Ejupi, teksa theksoi se premtimet janë bërë herë pas here edhe për pjesën tjetër, kështu që nuk mund të jenë faktorët ekonomikë ato që po shtyjnë përfundimin e procesit.

“Madje 2 km të rrugës janë premtuar të fillojnë që vitin e kaluar”, - shtoi biznesmeni. Ai nënvizoi se fakti që këtë herë financat janë në dorë të shqiptarëve, nuk mund të ndikojë në ecurinë e punës.

“Investimet kapitale nuk bëhen drejtpërsëdrejti nga një ministër ato janë planifikime qeveritare, - përfundoi Ejupi.

 

Lexoni gjithashtu: 

12 kilometrat që ndajnë shtetet, Shkup-Bllacë vonon daljen e maqedonasve në Kosovë dhe Shqipëri

Ministri i Ekonomisë në RMV: Autostradat Kërçovë-Ohër-Qafë Thanë dhe Shkup-Bllacë gati brenda 2 viteve

Tregime të lidhura