Rajoni

Hebrenjtë bashkojnë politikën, ceremonia e Vitit të Ri Hebraik bën bashkë gjithë liderët në Kosovë

Përditësimi i fundit: 16/09/2020 - 08:10
Text size Aa Aa

Me tingujt e borisë së punuar nga briri, hebrenjtë shënojnë vitin 5781, që njihet si Rosh Hashanah apo Viti i Ri Hebraik. I emocionuar, kryerabini i Tiranës, Yisroel Finman, tha se Kosova është vend shumë i veçantë

“Kosova është unike. Jo shumë njerëz në botë e dinë se sa speciale është Kosova. Më së shumti special në Kosovë janë njerëzit. Dhe kjo i sjell Izraelin e Kosovën kaq afër”, tha Yisroel Finman - Kryerabin i Tiranës.

Në fjalën e tij presidenti Hashim Thaçi e vlerësoi këtë një moment shumë të mirë nga mund të përfitojnë të dyja vendet.

 “Do të përfitojë Kosova, Izraeli, Ballkani perëndimor e madje edhe i tërë globi. Do të kemi më tepër stabilitet, zhvillim ekonomik, e më tepër paqe”, tha në fjalën e tij me këtë rast presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Duke risjellë në kujtesë fakte nga historia, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se shtatë dekada më parë, populli shqiptar i qëndroi në krah atij hebraik për t’i shpëtuar ata nga shfarosja.

“Nuk ka dy popuj që i kuptojnë vuajtjet e njëri-tjetrit më mirë e më shumë sesa populli ynë në Kosovë dhe populli i Izraelit”, tha znj. Osmani

Kosova e Izraeli do të vendosin së shpejti marrëdhënie diplomatike, deklaroi kryeministri Avdullah Hoti, ndërsa rikujtoi se komuniteti hebre në Kosovë është hallkë e rëndësishme e këtyre marrëdhënieve.

 “Uroj që gjatë ditëve festive, të kemi pasurim shpirtëror. Zëri nga boria e punuar nga briri është përkujtesë për hebraikët se Zoti është mbreti i tyre”, u shpreh kryeministri Hoti.

Të pranishmëve iu drejtua edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sipas të cilit, njohja e ndërsjellë Izrael-Kosovë është hapi i vazhdimit të miqësisë dhe respektit midis dy popujve.

 “E shkuara na mëson të bashkëpunojmë për paqe e ta ruajmë njerëzinë përballë çdo dhune që na kërcënohet”, tha kreu i Vetëvendosjes.

Në këtë ceremoni të Vitit të Ri hebraik, morën pjesë edhe shumë personalitete, politikanë, ministra, diplomatë, akademikë, e përfaqësues të klerit në Kosovë.

Tregime të lidhura