Rajoni

''Turqia s’është e besueshme'', Athina akuza Ankarasë: Në vend të dialogut zgjedh përshkallëzimin

Përditësimi i fundit: 13/10/2020 - 22:17
Text size Aa Aa

Ministri i Jashtëm grek deklaroi të martën se Turqia nuk është një partner i besueshëm për bisedime dhe ka zgjedhur përshkallëzimin e situatës në vend të dialogut. Reagimi erdhi pasi Ankaraja dërgoi një anije kërkimesh në ujërat e kontestuara territoriale në lindje të Mesdheut.

“Me veprimin e djeshëm, dërgimin e anijes për kërkime vetëm 6 milje larg brigjeve tona, lidershipi në Turqi tregoi se nuk është një interlokutor i besueshëm. Në vend të dialogut, në vend të bisedimeve, për të cilat ishin angazhuar të caktonin një datë, ata sërish zgjodhën përshkallëzimin,” – u shpreh Nikos Dendias, ministri i Jashtëm i Greqisë.

Deklaratën e tij, Dendias e bëri pas një takimi me homologun kanadez në Athinë. Ky i fundit tha se Kanadaj mund të luajë rolin e ndërmjetësit në bisedimet mes dy aleatëve në NATO.

“Në bisedimet me mikun tim Nikos kemi folur për rolin që mund të luajë Kanadaja. Mendoj se njerëzit mund ta shohin një partner ndër-atlantik si një ndërmjetës të sinqertë dhe ne mund të bëjmë propozimet tona,” – tha Francois Philippe Champagne, ministri i Jashtëm i Kanadasë.

Ditën e hënë, anija turke “Oruç Reis” nisi lundrimin për të kryer kërkime sizmike në lindje të Mesdheut, duke detyruar Greqinë t’i bëjë sërish apel Bashkimit Evropian për të sanksionuar Turqinë. Athina zyrtare paralajmëroi se nuk do të angazhohet në bisedime përsa kohë anija në fjalë do të qëndrojë në zonë.

Lidhur me çështjen në fjalë, Athina u vizitua edhe nga ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas, i cili do të vizitojë gjithashtu edhe Ankaranë.

Tregime të lidhura