Rajoni

Urbanë apo virus-lëvizës, kaos në transportin publik në Shkup. Distancimi fizik, i pamundur

Përditësimi i fundit: 14/10/2020 - 14:09
Text size Aa Aa

Transporti publik në qytetin e Shkupit është një prej mjeteve të transportit që zgjedhin shpesh qytetarët për të shkuar në punë apo për të përfunduar obligime të tjera.

Po të mos ishte pandemia, ky fakt do të ishte për tu përshëndetur, por në këto kushte kur i gjithë shteti po kërkon mënyra për reduktimin e kontaktit mes njerëzve dhe pengimin e infektimit, vozitja masive e qytetarëve me autobusë po rrezikon seriozisht shëndetin e tyre.

Ekipi i Euronews Albania inspektoi pritjet dhe udhëtimin me transportin publik në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.

Turmat janë të paevitueshme në çdo moment, po ashtu edhe kontaktet mes njerëzve, dhe gjithkund si në vend-pritje ashtu edhe nëpër hyrje-dalje nëpër autobusë, ka turma të mëdha njerëzish që kanë kontakt të afërt me njëri-tjetrin.

Në autobusë nuk ka as mekanizma kontrolli dhe dënimi për ata që nuk mbajnë maska.

 “Ka shpesh turma. Kaos është. Këtë e ka bërë kryetari i Shkupit. Unë i mbaj duart në xhepa dhe maskën në gojë. Nuk komunikoj asesi me askënd. Duhet mbrojtje. Un ulem ,sepse jam e sëmurë, dhe nuk e hap gojën. Dezinfektohem vazhdimisht. Do duhet të lëshohen rekomandime në media se si duhet të sillemi në autobus.

Të mos ketë shtyrje, grumbullime të njerëzve. Gjithkund ka punime nëpër rrugë, duhet njoftime para kohe për këtë gjë sepse kështu bëhet kaosi. Kjo nuk është normale, jam shumë e revoltuar“, thotë një qytetar maqedonas.

“Mendoj se ka rrezik kur vozitemi me autobus, por kur e kemi patjetër, s’kemi çfarë të bëjmë. Skam tjetër alternative për transport dhe gjoja duhej të përdorim transportin publik për ta penguar ndotjen, por tani me pandeminë nuk e di. Ka njerëz që shtyhen, por të paktën për maska shoh se shumica mbajnë”, shprehet një tjetër.

Ka qytetarë që për shkak të problemeve me turmat e njerëzve, nuk përdorin transportin publik.

Ndërmarrja për qarkullim publik në një përgjigje me shkrim për Euronews Albania thotë se problemi me turmat do të shqyrtohet. Do të analizohet mundësia për rritjen e numrit të autobusëve që janë në qarkullim ditor. Ndërmarrja apelon deri tek qytetarët për sjellje të përgjegjshme individuale.

 “Jetojmë në kohë të pandemisë ku çdonjëri prej nesh duhet të ketë sjellje të përgjegjshme sepse bëhet fjalë për shëndetin publik dhe në këtë drejtim NQP Shkup që nga fillimi respekton masat që kanë kërkuar instancat shëndetësore.

Apelojmë që qytetarët të respektojnë këto masa dhe në këtë mënyrë bashkë të bëhemi mbrojtës të shëndetit kolektiv”,  thuhet në reagimin e ndërmarrjes për qarkullim publik.

Ndërmarrja që menaxhon transportin publik siguron se autobusët e tyre mbushen vetëm me 50 për qind, por pamjet që filmuam por edhe që qarkullojnë në rrjetet sociale nga qytetarë të revoltuar, e dëshmojnë të kundërtën. Se transporti publik është i rrezikshëm për shëndetin e qytetarëve.

Tregime të lidhura