Akuzat për krime lufte, udhëheqësit shqiptarë mbështesin Thaçin dhe ish-luftëtarët e UÇK-së

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Udhëheqësit shqiptarë në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut shprehën mbështetje ndaj Hashim Thaçit dhe luftës çlirimtare të Kosovës, kjo pasi Gjykata Speciale në Hagë konfirmoi akuzat për krime lufte ndaj tij, gjë që e detyroi Thaçin të japë dorëheqjen nga posti i presidentit.

Reagimi i parë u bë nga qeveria e Kosovës ku përmes një deklarate shprehu mbështetje të plotë për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ndërsa theksoi se “askush nuk mund të konsiderohet fajtor pa vendim përfundimtar të drejtësisë”.

“Askush nuk mund të gjykojë luftën tonë për liri. Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi për çlirimin e vendit tonë, për mbrojtjen e pragut të shtëpisë, e jo në tokë të huaj, dhe si e tillë gëzoi mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, që kulmoi me fushatën e bombardimeve të NATO-s,” – u tha ndër të tjera në deklaratë.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook ftoi qytetarët dhe qeverinë e Kosovës të mbështesin ish-luftëtarët e UÇK-së që po përballen me gjyqësinë ndërkombëtare, duke besuar në pafajësinë e tyre.

“Presidenti Thaçi, kryetari [i Partisë Demokratike të Kosovës] Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarët e mi, që po përballen me gjyqësinë ndërkombëtare, duhet të kenë përkrahjen tonë dhe të qeverisë së Kosovës, pa asnjë rezervë. Duke besuar fuqishëm se do të vërtetohet pafajësia e tyre, Republika e Kosovës do të tejkalojë faqebardhë edhe këtë sfidë,” – shkroi Haradinaj.

Duke shprehur “thellësisht besimin” te pafajësia e të akuzuarve, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, pati shkruar në Facebook që të mërkurën se “arrestimi i njerëzve të UÇK-së nuk duhet të kuptohet si dëshmi e fajësisë së tyre”.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, u shpreh se kishte besim se ish-presidenti Hashim Thaçi dhe të gjithë të akuzuarit e tjerë “do ta mbrojnë në mënyrë dinjitoze luftën e UÇK-së dhe në fund do të dalin faqebardhë nga ky proces gjyqësor”.

“Vetëm të bashkuar dhe duke vënë në rend të parë interesat e shtetit të Kosovës, ne do t’i përballojmë me dinjitet të gjitha sfidat me të cilat jemi të ballafaquar,” – tha Limaj.

Në Shqipëri, Presidenti Ilir Meta vlerësoi aktin e dorëheqjes së Thaçit për të mos u ballafaquar me akuzat si President i Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Meta theksoi se beson ne pafajësinë e Thaçit dhe gjithë luftëtarëve të tjerë të UÇK-së.

“Besoj në pafajësinë e tij [Thaçit] e të gjithë bashkëluftëtarëve, sikundër është konfirmuar edhe në të kaluarën. Ky është një moment reflektimi për të forcuar më shumë bashkëpunimin dhe unitetin, në interesin më të mirë kombëtar,” – u shpreh Meta.

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Twitter, shprehu “gjithë solidaritetin e Shqipërisë në këtë betejë të radhës për Kosovën”.

“Procesi absurd ndaj tij [Thaçit] do të vulosë përfundimisht pastërtinë e UÇK-së dhe pamundësinë për ta rishkruar historinë e saj,” – tha Rama.

Më tej kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u shpreh gjithashtu në mbështetje të Thaçit dhe luftëtarëve të UÇK-së. Basha i cilësoi të padrejta akuzat, kjo me bindjen se “shumë shpejt pafajësia do të vërtetohet”.

“Jam i bindur se edhe ata, që nga presidenti Hashim Thaçi, kryetari i PDK Kadri Veseli, ish kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, e luftëtarë të tjerë të UÇK-së, do t’i faktojnë drejtësisë dhe mbarë botës se aktakuzat ndaj tyre janë të pabaza. […] Askush nuk mund të barazojë luftën e drejtë të UÇK-së për dinjitet njerëzor dhe liri, me masakrat dhe genocidin e ushtruar nga hordhitë kriminale të Millosheviçit ndaj popullsisë civile të Kosovës,” – tha Basha.

Në Maqedoninë e Veriut, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti këmbënguli se lufta për liri e UÇK-së “ishte e orientuar drejt vlerave euro-amerikane”.

Ish-pjesëtar i UÇK-së, Ahmeti u shpreh i bindur se bashkëluftëtarët e tij do të dëshmojnë se “UÇK bëri luftë të drejtë” dhe “do të kthehen ngadhënjimtarë duke respektuar plotësisht sundimin e ligjit dhe drejtësinë vendore e ndërkombëtare”.


Etiketimet

Kompanitë ajrore paralajmërojnë probleme me fluturimet prej teknologjisë 5G

Kalimi i shërbimeve të telefonave në teknologjinë 5G do të shkaktojë probleme të mëdha me fluturimet. 10 kompanitë më të mëdha ajrore në SHBA e...

OBSH kërkon të dhëna nga kompanitë prodhuese për vaksinat anti-COVID

Komiteti i OBSH-së kërkoi nga kompanitë prodhuese të listojnë vaksinat e tyre për përdorim urgjent. Ata arsyetuan se vonesat po ndikonin në përdorimin e...

Microsoft investon miliarda dollarë në industrinë e lojërave

Microsoft do të blejë prodhuesin e lojërave Activision Blizzard për 68.7 miliardë dollarë. Kjo është ujdia më e shtrenjtë në këtë sektor. Kompania prodhuese e...

Regjistrohu për të marrë NEWSLETTER