Rajoni
Bisedimet Turqi-Greqi, takimi i parë më 25 janar në Stamboll
Greqia dhe Turqia do të ulen sërish në tryezën e bisedimeve në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për caktimin e kufijve të zonës ekskluzive ekonomike dhe të ashtuquajturit shelfin kontinental në det.
Lajmin e ka dhënë ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë, e cila deklaron se raundi i parë i kontakteve eksploruese të 61-ta me Turqinë do të zhvillohet në Stamboll më 25 Janar 2021.
Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu ishte i pari që publikisht tha se ishte i gatshëm për të biseduar me Greqinë madje duke përmendur si vend të mundshëm për takimin, Tiranën.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke Alexandros Papaioannou, reagoi menjëherë pas pyetjes së gazetarëve duke thënë se “Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka marrë asnjë ftesë deri më tani nga Ministria Turke e Punëve të Jashtme në lidhje me caktimin e një date për raundin e 61-të të bisedimeve hulumtuese”.
“Siç e dini, Greqia ka shprehur gatishmërinë e saj për t’u përgjigjur pozitivisht në rastin e një ftese përkatëse turke, mbi bazën e ligjit ndërkombëtar dhe lidhur me caktimin e kufijve të zona ekonomike ekskluzive dhe shelfit kontinental,” – shtoi ai.
Edhe kryeministri Grek Micotakis iu drejtua Turqisë përmes një konference për shtyp duke theksuar se ata nuk mund të vijojnë të bëjnë “burrin e mirë duke kërkuar vendosjen e një date për negociatat”.
Pas këtyre reagimeve në distance ministria e jashtme e Greqisë bëri të ditur se është arritur kompromisi për takim më 25 janar në Stamboll.
Raundi i 60-të, i fundit nga bisedimet eksploruese të nisura midis dy vendeve në 2002, u mbajt në Athinë në 1 mars 2016.