Rajoni

Serbi, mbërrin dërgesa e parë me 150 mijë vaksina nga AstraZeneca

Përditësimi i fundit: 21/02/2021 - 14:12
Text size Aa Aa

Në Serbi kanë mbërritur 150 mijë dozat e para nga AstraZeneca gjatë ditës së sotme duke u bërë kështu vendi i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që merr vaksinën e prodhuar nga Universiteti i Oksfordit.

Vaksina, të cilat mbërritën me linjën turke Turkish Airlines nga Stambolli, janë prodhuar në Indi, deklaroi presidenti serb Aleksandar Vucic.

“Më është dashur t’i lutem miqve në Mbretërinë e Bashkuar dhe Indi. Iu përgjërova Boris Johnson dhe miqve të tjerë nga qeveria britanike”, u shpreh Vucic teksa shtoi se kanë negociuar për një çmim të mirë për të marrë vaksinën. 

Presidenti serb gjithashtu konfirmoi se një dërgesë e dytë prej 150 mijë vaksinash pritet të vijë brenda 12 javësh.

Më shumë se 730 mijë persona, rreth 10 për qind e popullsisë, janë vaksinuar kundër COVID-19 që nga dhjetori.

Sipas programit shtetëror të vaksinimit, serbët kanë pasur mundësi të zgjedhin midis vaksinës së Pfzier-BioNTech, Sinofarmës kineze dhe Sputnikut rus.

Pavarësisht fushatës së vaksinimeve, rastet e reja në Serbi kanë ardhur duke u shtuar, me rreth 2 mijë raste të reja në ditë. Megjithatë, epidemiologët kanë parashikuar që shifrat do të ulen në harkun kohor të një muaji.

 

Lexoni gjithashtu