Rajoni

Greqi, punonjësit e shëndetësisë në protestë, mjeku shqiptar: Kërkohet trajtim si i ushtarëve në vijën e frontit

Përditësimi i fundit: 23/02/2021 - 14:48
Text size Aa Aa

Punonjësit e sistemit shëndetësor në Greqi kanë nisur protestat në Athinë duke i kërkuar qeverisë që infektimin nga COVID-19 t’ua konsiderojë si aksident në punë.

Mjeku shqiptar në Greqi, Vasil Llajo, tha për Euronews Albania se kërkesa kryesore është që “mjekët të trajtohen si ushtarë në vijën e parë të frontit”.

“Nuk është një luftë me armë, por viktimat i ka të barabrata me një luftë,” – tha mjeku Llajo duke shpjeguar se kërkesat bazohen te rreziku që përballen mjekët gjatë punës.

Protestuesit kërkojnë që çdo viktimë nga stafi spitalor i shkaktuar nga virusi COVID-19 duhet konsideruar nga si aksident në punë. Sipas tyre është më e pakta që qeveria mund të bëjë për të ndihmuar familjet e atyre që po luftojnë kundër virusit.

Nëse vdekja e një punonjësit të shëndetësisë përcaktohet si aksident në punë, familja e të ndjerit përfiton një kompensim si dhe një pjesë të pensionit të tij.

Gjithashtu punonjësit e shëndetësisë akuzojnë qeverinë greke që nuk ka rritur shpenzimet publike për shëndetësinë, pavarësisht faktit që pandemia nuk ka mbaruar, madje kohët e fundit ka pasur rritje të numrit të infektimeve.

Mjeku Llajo tha se punonjësit e sistemit shëndetësisë kërkojnë shtim të burimeve njerëzore dhe investime në materiale. Për sa i përket situatës së të infektuarve, në Greqi vijohet të ketë luahtje të raporteve ditore, ndërkohë që të premten pritet që masat kufizuese të lehtësohen.

Tregime të lidhura