Mjekët në Maqedoninë e Veriut parashikojnë një periudhë edhe më të rëndë të COVID-19 gjatë muajve të mbetur të dimrit për shkak të variantit Omicron.
Mjeku Zllate Mehmedoviq vlerëson se vaksinimi i detyrueshëm do jetë mundësia e vetme për shpëtimin e jetëve të njerëzve.
“Kjo do ishte një zgjidhje e imponuar dhe unë do doja më shumë të theksohej efikasiteti dhe siguria e vaksinave, por kjo gjë nuk u bë prej fillimit të vaksinimit te ne. Prandaj shumë shtete që nuk arritën t’i bindin qytetarët për sigurinë dhe efektin e vaksinave tani po ndërmarrin masa të tilla për detyrim për të shpëtuar sa jetë që munden”, thotë Mehmetoviq.
Infektologu Fadil Cana kritikon sistemin shëndetësor që nuk ka reaguar në kohë për të parandaluar rritjen drastike të shifrave.
“Në këto shifra alarmante, me prezencë të virusit gati në çdo qytetet ku dominant është në kryeqytet, çdo masë tani do të ishte e kotë. Maqedonia e Veriut ka numër të lartë të vdekjeve pasi që sistemi shëndetësor i menaxhuar nga i pari i ministrisë së shëndetësisë në ikje ishte më shumë për pompozitet dhe PR”, thekson Cana.
Gjatë javës së fundit, varianti Omicron është pikasur në 68 për qind të mostrave të analizuara në Institutin e Shëndetit publik.
Komisioni për Sëmundje Ngjitëse zhvilloi një mbledhje këtë të martë, por nuk vendosi për asnjë masë, pasi i duhet ende kohë për analizë të situatës, përfshirë këtu edhe mundësinë për kthimin e nxënësve në shkolla me prani fizike.
LEXONI GJITHASHTU: