Parlamenti i Maqedonisë së Veriut ka miratuar të dielën para mesnatës kabinetin e ri qeveritar, të udhëhequr nga kreu social-demokrat, Dimitar Kovaçevski.
Kabineti i ri qeveritar mori 62 vota pro në parlamentin 120 vendesh, ndërsa 46 ishin kundër.
Kryeministri i ri, Dimitar Kovaçevski, tha se prioritetet e qeverisjes së tij do të jenë nga kapërcimi i krizës ekonomike dhe energjetike, deri te luftimi i pandemisë së coronavirusit.
Përparësi të tjera për kabinetin e tij paraqesin integrimi evropian i vendit, zgjidhja e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë fqinje lidhur me gjuhën dhe historinë.
Ndërkohë, të martën në Shkup pritet të udhëtojë kryeministri bullgar Kiril Petkov.
Sofja ka bllokuar procesin e bisedimeve të Shkupit me Bashkimin Evropian. Ky vend konsideron se kombi dhe gjuha maqedonase ekzistojnë që nga viti 1945 dhe i fton autoritetet e Shkupit të pranojnë se kanë rrënjë bullgare.
Kabineti i ri i Maqedonisë së Veriut do të ketë 21 anëtarë. Lidhja Social-demokrate me partnerët e saj më të vegjël kanë 12 vende; Bashkimi Demokratik për Integrim, 6, aq sa kishte edhe në përbërjen e kaluar dhe partia Alternativa do të drejtojë 3 ministri.
Kabineti i ri qeveritar në Maqedoninë e Veriut do të ketë pjesë të saj 10 ministra shqiptarë nga 21 gjithsej.
Në qeverinë e Dimitar Kovacevskit, shqiptarët do të përfitojnë 3 poste ministrore më shumë krahasuar me qeverinë e Zoran Zaev. Kjo për faktin se LSDM për të pasur shumicën në pushtet bëri koalicion me partinë shqiptare Alternativa.