Shëndeti

Coronavirus, banorët e qyteteve ku niveli ndotjes së ajrit është i lartë janë më të rrezikuar

Përditësimi i fundit: 16/03/2020 - 21:35
Text size Aa Aa

Një organizatë joqeveritare europiane ka paralajmëruar se qytetarët që jetojnë në qytete apo rajone ku niveli ndotjes së ajrit është i lartë janë më të rrezikuar nga coronavirus.

Aleanca e Shëndetit Publik Europian (EPHA) thotë se ajri i ndotur shkakton diabet, tension të lartë dhe sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes, disa prej sëmundjeve shoqëruese të cilat e bëjnë COVID-19 më vdekjeprurës.

EPHA ka cituar një raport të vitit 2003, ku thuhej se viktimat e SARS ishin 84 për qind më të rrezikuar nga vdekja nëse jetonin në zona ku niveli i ndotjes së ajrit është më i lartë, në krahasim me zonat ku ajri ishte më i pastër.

SARS shkaktoi 774 viktima nga 2002 në 2003 dhe asokohe u raportuan mbi 8 mijë raste, shumica e të cilave në Kinë. Ashtu si COVID-19, ai ishte një lloj coronavirusi, por i transmetuar nga macet tek njerëzit.

Pacientët me sëmundje kronike të mushkërive apo sëmundje zemre, të shkaktuara apo të përkeqësuara nga ekspozimi afatgjatë ndaj ajrit të ndotur ishin më pak të fuqishëm për të luftuar infeksionet e mushkërive, ndaj dhe më të rrezikuar nga vdekja,” tha Sara De Matteis, pedagoge e asociuar në Universitetin e Kaljarit, në Itali.

“Ky është po i njëjti rasti si me COVID-19”, shpjegon De Matteis.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 9 në 10 persona në mbarë botën jetojnë në qytete me ajër të ndotur, i cili është edhe shkaktari i 7 milionë vdekjeve çdo vit. Një e treta vdesin nga infarkti, nga kanceri i mushkërive dhe sëmundje të tjera të zemrës për shkak të ajrit të ndotur.

Italia e Veriut njihet për ajrin e ndotur, thotë EPHA, si edhe si epiqendra e përhapjes së coronavirus në Europë. Që nga shfaqja e parë e virusit, ka pasur një ulje drastike të nivelit të ndotjes në rajonet e veriut, sipas imazheve satelitore të datës 17 dhe 26 shkurt.

epha

Sipas organizatës joqeveritare, masat për të luftuar ndotjen kronike të ajrit duhet të ishin marrë kohë më parë, por i është dhënë përparësi ekonomisë në kurriz të shëndetit duke lehtësuar industrinë e makinave. Kur kriza të ketë përfunduar, ligjvënësit duhet të përshpejtojnë masat për heqjen nga qarkullimit të automjeteve të vjetra.

“Shkencëtarët thonë se epidemi si COVID-19 do të ndodhin sërish. Kështu që pastrimi i rrugëve është një investim themelor për një të ardhme më të shëndetshme”.

Tregime të lidhura