Shëndeti

Zv.Presidenti i Urdhrit të Stomatologut: Jeta dhe shëndeti vijnë përpara pasurive tona personale

Përditësimi i fundit: 09/04/2020 - 16:35
Text size Aa Aa

Gjergj Alia, zëvendës President i Urdhrit të Stomatologut në një lidhje të drejtëpërdrejtë për Euronews Albania foli për pezullimin e aktivitetit të shërbimeve mjekësore dentare.

"Po flitet shumë për gjobën, por unë nuk e shoh si kryesore këtë. Për vetën natyrën e punës tonë, me kavitetin e gojës së pacientëve, ne të gjithë kemi qenë të mendimit që ky shërbim duhet të ndërpritet për momentin", tha Alia.

I pyetur rreth impaktit ekonomik që do të ketë pezullimi i klinikave stomatologjike, Alia u shpreh se në një situatë të tillë përparësi ka shëndeti dhe jo fitimet personale.

"Si qytetar, mjek dhe intelektual dua të them në parantezë që stomatologët janë të gjithë intelektualë të shkolluar. Së pari ne kemi jetën, së dyti kemi shëndetin dhe pastaj vjen pasuria. Duke i vlerësuar gjërat në përgjithësi si qytetarë dhe si mjekë, unë them se ne do t’ia dalim. Pasi kjo situatë të kalojë, besoj që do të kemi mundësi të rikuperojmë fitimet e munguara gjatë kësaj periudhe", tha zv.presidenti i Urdhrit të Stomatologut.  

Urgjencat e shërbimeve dentare për momentin bëhen vetëm në qendrën stomatologjike shtetërore.