Shëndeti

Mjekia alergologe tregon se si të dalloni simptomat e alergjive të stinës nga ato të COVID-19

Përditësimi i fundit: 14/04/2020 - 09:10
Text size Aa Aa

Mjekia alergologe, Mirela Hitaj tregoi në një lidhje të drejtëpërdrejtë se cilat janë simptomat e alergjive të stinës gjatë periudhës së pranverës në mënyrë që qytetarët të mos shqetësohen dhe të mos i ngatërrojnë ato me shenjat e COVID-19.

"Alergjitë sezonale ose polinozat siç i themi ndryshe nënkuptojnë shfaqjen e shenjave klinike komplekse në një periudhë të caktuar të vitit. Zakonisht këtë ndodhin më tepër në pranverë ose vjeshtë. Karakteristikë e këtyre shenjave janë periodiciteti i tyre, domethënë ato shfaqen në një periudhë të caktuar të vitit. Mund të shfaqen në formën e rrufës alergjike, me të teshtira, me rrjedhje dhe bllokim hundësh, mund të shfaqen me sëmundje të syve, lotim dhe kruajtje të tyre, mund të shfaqen edhe me shenja pulmonare, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje, ndonjëherë mund të shfaqen me kruarje të fytit, të qiellzës", tregon mjekia Hitaj. 

Mjekia alergologe tregon se këto janë sëmundje të shpeshta të cilat kapin 10-40% të popullsisë.  Sipas saj në këtë periudhë është dhe piku i polinozave të pranverës.

"Pacientët që kanë këto shenja janë shfaqur edhe vjet edhe këtë vit në të njëjtën periudhë, por ka edhe pacientë të rinj që i shfaqin për herë të parë këto shenja. Është shumë e rëndësishme që të themi dhe t'ia bëjmë të qartë pacientëve që shenjat e alergjisë nuk shoqërohen me temperaturë në ndryshim nga shenjat e COVID-19 që në të shumtën e rasteve shfaqen me temperaturë të lartë dhe me dhimbje fyti", tregon znj. Hitaj.

E pyetur nëse këto sëmundje alergjike mund të ndikojnë edhe më tepër në gjendjen shëndetësore të një pacienti të prekur nga COVID-19, mjekja u shpreh se mund të ketë një lloj ndikimi në rëndimin e gjendjes së këtyre pacientëve.

"Sëmundjet alergjike kur prekin rrugët e frymëmarrjes mund t'i quajmë sëmundje kronike dhe kjo mund të ndikojë te pacientët që kanë edhe COVID-19, që gjendja e tyre të jetë më e rënduar. Për të gjithë pacientët alergjikë do të thoja të përdorin me rigorozitet mjekimet e dhëna nga mjeku specialist", u shpreh mjekia Mirela Hitaj.

Tregime të lidhura