Shock

Deti me Greqinë | Bushati tregon ku rrezikon Shqipëria dhe kritikon Ramën: Çfarë po synohet

Përditësimi i fundit: 05/01/2021 - 20:49
Text size Aa Aa

Zgjerimi i Greqisë më 12 milje ka qenë një nga temat që u diskutua këtë mbrëmje në emisionin “Shock” në Euronews Albania. Gazetari dhe analisti Andi Bushati u tregua i ashpër ndaj qeverisë shqiptare, të cilën e bëri përgjegjësie për mungesë transparence.

Ai tha se qëndrimet e Ramës mbi mosmarrëveshjet me Greqinë për kufirin detar kanë ndryshuar në mënyrë të papritur, dhe kjo lëvizja sipas tij krijon dyshime shtesë tek qytetarët.

“Ajo që unë kam me Ramën është transparenca në raport me marrëveshjen me detin. Edi Rama me detin është sjellë në mënyrë të çuditshme. Në gusht të këtij viti akoma na fliste ne shqiptarëve që ne do vijojmë me grupin negociata, por papritmas në një darkë me kryeministrin grek në Athinë dhe ndërron kursin me 180 gradë: Jo do shkojmë në gjykatë. Ne na intereson ligji i luftës, emigrantët, çështja çame. Shqipëria ishte e interesuar të hynte në negociata, sepse donte një zgjidhje paketë. Kjo kthesë krijon një mister se pse ndodh kaq shpejtë”, tha ai.

Ai thekson se njohja që Rama i ka bërë zgjerimit të Greqisë me 12 milje është veprim i nxituar.

“Po ta shohësh dhe njerëz që e kanë mbështetur PS dhe Ramën në heshtje rrëzimin në Gjykatën  Kushtetuese të marrëveshjes së Berishës, këtë njohje që Rama ika bërë gati me gëzim të Greqisë e kanë kritikuar si një hap që nuk i takon një pala që nëse do jetë pjesëtare në një proces gjyqësor të duartrokas zgjedhjet e kundërshtarit para gjyqit. Unë akoma nuk jam i qartë me rrugën që ka nisur Edi Rama. Mungesa e transparencës ishte thelbi", tha ai.

 Analisti Bushati parashtroi një hipotezë, kur thotë se kryeministrit Rama nuk kërkon ta zgjidhë këtë çështje me Greqinë, por synon të mbajë “një dorë në Athinë dhe një në Ankara”

“Unë mendoj, por kjo është hipotezë, se Edi Rama nuk do ta zgjidhë këtë gjë. Edi Rama ka pranuar një formulë, që i është ofruar nga Athina për ta shtyrë në kalendat greke dhe për ta mbajtur një dorë në kadaif dhe një dorë në bakllava, një dorë në Athinë dhe një dorë në Ankara”, theksoi ai.

Pajtimi i Shqipërisë dhe Greqisë për t’iu drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për detin, z. Bushati këtë hap e sheh me mosbesim, kur thotë se vendi ynë rrezikon të humbasë në këtë betejë.

Ai renditi edhe tri arsye, se pse Shqipëria mund të dalë humbëse karshi Greqisë në Gjykatën Ndërkombëtare.

“Qeveria shqiptare po na servir si zgjidhje (dërgimin në Gjykatën Ndërkombëtare) më të mirë. Unë dyshoj se shkuarja në Gjykatë Ndërkombëtare është në të mirë të Shqipërisë për tri arsye. E para, e vetmja eksperiencë që kemi për çështjen e detit është e kanalit të Korfuzit, të cilën e humbëm. E dyta, dyshoj se kemi ekspertizën për ta bërë një gjë të tillë në raport me një vend, që ka traditë deti si Greqi. E treta, është se ne jemi të papërgatitur”, theksoi ai.

Ndiqni intervistën e plotë:

Lexoni gjithashtu:

Deti me Greqinë | Baton Haxhiu: Rama i qëndron deklaratave që bën