Shock

Roli i Ramës në tensionet Greqi-Turqi, Haxhiu: Me kryeministrin duhet të mburret çdo shqiptar. Bushati: S’do të thotë asgjë

Përditësimi i fundit: 11/01/2021 - 20:03
Text size Aa Aa

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu njoftoi sot se kryeministri shqiptar, Edi Rama ka kërkuar të luajë rolin e ‘negociatorit” për të gjetur zgjidhje mbi mosmarrëveshjet mes Ankarasë dhe Athinës zyrtare. Kjo ishte një ndër temat, e cila mori diskutim të gjatë në studion e emisionit "Shock" në Euronews Albania.  

Analisti Baton Haxhiu u shpreh se pranimi, që ka bërë Greqia për t'u ulur në tryezë me Turqinë është padyshim sukses i kryeministrit të Shqipërisë.

“Nuk po flasim për ndërmjetësim, por për një finalizim. Suksesi i lehtësimit në marrëdhëniet turko-greke i adresohet dukshëm kryeministrit shqiptar. Kjo meritë mendoj se i dedikohet kryeministrit shqiptar”, tha ai.

Ndryshe nga qëndrimi i Haxhiut, analisti Andi Bushati thotë se kjo histori nuk u thotë asgjë shqiptarëve, por i shërben propagandës së shefit të qeverisë. 

“Rama në 8 vjet në politikën e jashtme është sjellë si kryetar i një familjeje, që hedh të gjitha paratë e familjes në bixhoz dhe në fund harron t’i dërgojë familjes kilen e domates në darkë. Ai harron punët e përditshme të vendit, për të marrë rolin dhe areolën e një lideri global. Kjo është një histori, e cila për shqiptarët nuk do të thotë asgjë”, tha ai.

Për Baton Haxhiun, përfshirja e kryeministrit Rama në zbutjen e tensioneve mes Turqisë dhe Greqisë është një akt me të cilin duhej të mburret çdo shqiptar.

“Po flasim për elementet publike që i kemi. Këto dy vende ishin në konflikt dhe topat ishin drejtuar njëra-tjetrës. Sot do të duhet Andi Bushati të mburrej me kryeministrin e vet”, u shpreh ai.

Mes tjerash, Andi Bushati shprehet se kryeministri i Shqipërisë është përdorur nga Turqia.

“Më jep argument, sepse nuk më kë dhënë asnjë argument. Argument është se e përdori  “çiraku” i sulltanit. Për mua është shumë e thjeshtë të shoh përfundimin. Të shkosh dhe të ndërmjetësosh midis Turqisë dhe Greqisë, nuk është sikur të hash darkë tek “Nusreti”, tha ai.