Sociale

Coronavirusi ia pezullon ëndrrat për një jetë të re në Kinë studentes shqiptare

Përditësimi i fundit: 05/02/2020 - 18:19
Text size Aa Aa

Gerta, një shqiptare 23-vjeçare u nis dy vite më parë drejt Kinës me një bursë 2-vjeçare studimi të gjuhës kineze dhe me dëshirën për të përjetuar kulturën ekzotike të kontinentit aziatik.

Ajo e ngriti jetën e saj të re në qytetin Changchun, shumë pranë kufirit me Korenë e Veriut dhe në një distancë prej 1000 kilometrash nga kryeqyteti, Pekin.

“Të gjeja veten në Kinë nuk ishte aspak e vështirë. Për sa i përket stilit të jetesës, kuptohet që është goxha ndryshe nga ai që pata në Shqipëri duke nisur nga ushqimi, kultura që njoha, njerëzit, por edhe shoqëria,” tregon Gerta, e cila foli me Euronews Albania nën kushtet e anonimatit, pas valës së re të paragjykimeve që po i drejtohen qytetarëve në vendet e prekura nga virusi i shpallur së fundmi emergjencë ndërkombëtare nga OBSH, coronavirus.

Rrugës për t’u kthyer në Shqipëri, studentja kujton me shaka se si të gjithë e pyesnin veçanërisht për ushqimin pas shpërnguljes, por thotë se për të vaktet nuk ishin aspak problem.

“Personalisht kam gjetur shumë ushqime të shijshme në menynë kineze, ashtu si dhe ushqime që si kam preferuar, por që dikush tjetër fare mirë mund t’i shijojë,” shpjegon ajo.

coronavirus 4810201 1920Mikpritja nga vendasit duket se ia ka thjeshtuar studentes shqiptare vendimin për të qëndruar edhe më gjatë në Kinë, megjithatë shpërthimi i papritur i virusit ende të panjohur për studiuesit i parashtroi asaj një sfidë të re.

Gerta tregon se shenjat e para të virusit që e pati epiqendrën në qytetin Wuhan, rreth 2200 kilometra larg qytetit ku ajo studion, u pritën qetësisht me mendimin se do të ishte një grip i zakonshëm.

“Derisa numri i të infektuarve filloi të rritej,” shton e reja, e cila u rikthye në atdhe së fundmi pas shqetësimit të prindërve, por edhe bllokimit të jetës studentore atje.

“Familja ime ishte e tmerruar dhe kjo për shkak të alarmit që i është bërë këtij virusi,” tregon ajo, duke u shprehur gjithsesi skeptike ndaj përmasave të alarmit që media po i jep kësaj krize shëndetësore.

Që prej shfaqjes së coronavirusit, mbi 500 persona kanë humbur jetën në Kinë, ndërsa 20 mijë të tjerë janë prekur prej tij atje. Sëmundja është përhapur në shkallë globale, duke infektuar 170 persona të tjerë në mbi 20 shtete të ndryshme.

Studiuesit po punojnë për të gjetur shkaqet e virusit, si dhe një kurë, por kërkimet vazhdojnë pavarësisht se shpallja si emergjencë nga ana e Organizatë Botërore të Shëndetësisë e ka futur sëmundjen në listën prioritare të shëndetit në shumë shtete të botës.

Gertës iu desh të përballej me kontrolle shëndetësore në aeroportin Nënë Tereza të Tiranës, ku Ministria e Shëndetësisë ka mobilizuar një ekip mjekësh që bëjnë testime. Asnjë rast nuk është regjistruar në vend nga personat e kontrolluar, pavarësisht se një pjesë e tyre po mbahen ende nën vëzhgim nga autoritetet për periudhën e nevojshme 2-javore.

23-vjeçarja shprehet e keqardhur për paragjykimin me të cilin po përballen qytetarët kinezë kudo në botë, shkaktuar prej frikës nga prejardhja e virusit në Azi.

“Racizmin që po iu bëhet kinezëve e shikoj të pavend dhe të prapambetur,” thotë Gerta për Euronews Albania, duke shtuar se rastësia e prejardhjes nga Kina mund t’i kishte ndodhur çdo shteti tjetër.

“Kam dëgjuar që edhe këtu në Shqipëri ka stereotipa të tillë që tregohen raciste dhe për mendimin tim është për të ardhur keq,” tregon ajo.

Gerta tha se do të kalojë disa kohë në Shqipëri derisa situata shëndetësore në Kinë të normalizohet dhe coronavirusi të mos jetë më një pengesë dhe izolim për vazhdimësinë normale të jetesë.

Më herët, Euronews Albania intervistoi një të ri nga Kina, i cili po studion gjuhën shqipe në Tiranë. 19-vjeçari tha se po shihte me keqardhje sesi tradita shqiptare e mikpritjes ishte zëvendësuar ngadalë me shikime ngultazi prej origjinës së tij aziatike dhe lidhjes që qytetarët bëjnë me virusin.

“Dje kur po ecja në rrugë shumë shqiptarë thërrisnin: shiko atë kinezin, ka virus. U brengosa shumë, sepse kjo tregon vetëm se ata janë të paedukatë edhe pa njohuri. Isha shumë i trishtuar jo vetëm për veten, por edhe për kinezët e tjerë jashtë vendit,” – u shpreh studenti.

Të mërkurën, OBSH njoftoi se shpërthimi i coronavirusit nuk konsiderohet ende si pandemik apo i gjithëpërhapur. Organizmi siguroi se po bëhen të gjitha përpjekjet e nevojshme për të penguar përhapjen dhe për të trajtuar të prekurit e deritanishëm.

 

Lexoni më shumë:

Studenti nga Kina rrëfen paragjykimet me të cilat po përballet në Tiranë për shkak të coronavirusit

OBSH-ja: Coronavirusi i ri jo pandemi, të luftohen informacionet e rreme

Coronavirusi, drejtori i OBSH për Shqipërinë: S’ka nevojë për panik, situata po menaxhohet siç duhet

Shkencëtarët në Itali izolojnë një pjesë të ADN-së së coronavirusit të ri