Sociale

Për herë të parë online, COVID-19 zhvendos në internet Paradën e Krenarisë LGBTI

Përditësimi i fundit: 27/04/2020 - 17:15
Text size Aa Aa

Me mbishkrimin “parada vazhdon” aktivistët e mbrojtjes së të drejtave të komunitetit LGBTI në Shqipëri lajmëruan se parakalimi i përvitshëm që synon të rrisë ndërgjegjësimin kundër diskriminimit nuk do të anulohet.

“Më datë 15 maj, do të realizojmë për herë të parë Paradën e Krenarisë virtualisht, ku do japim mesazhet dhe do ngremë zërin për të drejtat tona e të komunitetit LGBTI+ në Shqipëri”, lajmëruan dy organizatat përgjegjëse të Pride.

Parada viruale do të funksionojë përmes një regjistrimi online të pjesëmarrësve, të cilët do të bashkëbisedojnë lidhur me situatën aktuale të komunitetit LGBTI në vend dhe për sfidat që i parashtrohen të drejtave të njeriut.

Xheni Karaj, drejtuese e organizatës Aleanca LGBT në Tiranë, tha për Euronews Albania se distancimi social nuk është një realitet i ri për komunitetin LGBTI, pasi komuniteti prej vitesh ka qenë viktime e formave me ekstreme të distancimit social, ligjor, fetar etj.

“Pikërisht për këtë arsye vendosem që këtë 17 maj të mos heshtim, të bashkohemi dhe bëhemi më kreativ për të treguar realitetin dhe historitë tona,” u shpreh Karaj, një prej aktivisteve më të hershme të LGBTI në vend.

“Ky është moment kritik historik ku demokracitë, liritë dhe të drejtat e njeriut janë në kërcënim në shumë vende të botës për shkak të politikave autoritare dhe mendoj që pjesa tjetër e shoqerisë ka shumë për të mësuar nga aftësia e fituar e komunitetit tonë për të luftuar në momente sfidash që mos heqim dorë nga liritë dhe identitetet tona,” përfundoi Xheni Karaj.

Shqipëria mbajti për herë të parë eventin simbol të personave lesbike, gej, biseksualë, transeksualë dhe interseks në vitin 2012.

Që prej asaj kohe parakalimi i të drejtave të komunitetit ka tërhequr gjithnjë e më shumë pjesëmarrës nga vendi, rajoni dhe më gjerë.

Ky vit shënon paradën e nëntë të krenarisë në Shqipëri.

“Parada nuk është një event, por një pikëtakim i yni me të kaluarën dhe me të ardhmen tonë të përbashkët. Nuk është vetëm një marshim, por frymë. Atë nuk e mban gjallë numri i njerëzve që parakalojnë, por mendjet tona që kanë mundësinë ta rikrijojnë,” thuhet në komunikimin e organizatorëve.

Parada virtuale #PrideOn do të transmetohet në rrjetet sociale më datë 17 Maj, në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë.

Ajo do të paraprihet nga një sër aktivitetesh virtuale që do të shënojnë Javën e Krenarisë 11-17 maj.